Kemi parë plot fanella të çuditshme deri tani në klube futbolli por edhe në përfaqësuese, por ideja e çmendur e Rostovit kalon çdo parashikim të mundshëm… Mbase, edhe nëse ke kthyer disa gota, më saktë, një shishe vodka, nuk do të arrije deri në pikën e klubit rus, që është frymëzuar nga një… qilim!
Ndoshta bëhet fjalë për fanellën më të shëmtuar në historinë e futbollit. Mendonim se kishim parë çdo gjë, por siç duket nuk ka fund e shëmtuara, ashtu si edhe e bukura…
Bëhet fjalë për fanellën e katërt, më saktë, atë të marketingut, pasi fanellat zyrtare janë 3 në fakt. Një qylym fanellë. Ndoshta, Rostovin nuk do ta shohim as në miqësore me këtë uniformë, por tifozët kanë nisur ta blejnë… Sipas lajmërimit, lojtarët do ta veshin gjatë nxehjes përpara ndeshjeve…
Ideja dhe frymëzimi? Dy tifozë, që mbajnë një qilim sa herë që Rostov luan brenda fushës… Pikërisht dizenjo e atij qilimi, kostumet dhe tradita e qytetit në fjalë, është bërë fanellë.
Diçka e ngjashme, edhe pse shumë moderne, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se projektoi fanellën e Shqipërisë Euro 2016 pikërisht duke u bazuar në traditën dhe kostumet shqiptare…