Maribor në Slloveni është dominues, por vjet nuk u shpall kampion. Klubi që eliminoi Partizanin në turin e parë të Europa League ka lojtarët që vlejnë më shumë në kampionat, referuar “transfermarkt”. Në një portal slloven, “Novijce.najdi.si”, është publikuar edhe formacioni me lojtarët më të shtrenjtë.
Në të bien në sy emrat e dy futbollistëve shqiptarë, ndërkohë që shumica e lojtarëve janë të skuadrës së Mariborit. Gjithçka nis nga porta, me Kenan Piriç, i vlerësuar me 800 mijë euro. Martin Milec (Maribor, 900 mijë euro) pozicionet në të djathtë, kurse Dino Shtiglec (Olimpija, 600 mijë euro) në të majtë.
Denis Shme (Maribor, 600 mijë euro) dhe Gaber Dobrovoljc ( Domzhale, 550 mijë euro) plotësojnë prapavijën. Në mesfushë janë edhe Agim Ibrahimi e Valon Ahmedi. Ish-sulmuesi i Maqedonisë vlerësohet me 700 mijë euro dhe aktualisht është pjesë e Domzhale. Ahmedi, edhe pse pak ka luajtur me Mariborin, vlerësohet me 500 mijë euro.
Alex Pihler dhe Gregor Bajde, shokë skuadre të mesfushorit të kombëtares, janë pjesë e formacionit më të shtrenjtë. Ata vlerësohen me 600 dhe 450 mijë euro. Luka Zahoviç është më i shtrenjti me 1.1 milionë euro. Krah tij është një tjetër lojtar i Mariborit, Jasmin Mesanoviç, i vlerësuar me 850 mijë euro.