Shqipëria do të rikthehet përsëri në fushë mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë do të ndeshen me Kilin në “Enio Tardini” të Parmës, ku numri i shqiptarëve në tribuna pritet të jetë mjaft i lartë. Megjithëse në letër është thjesht një takim miqësor, për Silvinjon është më tepër se kaq. Trajneri Brazilian do të përgatisë ekipin për Euro 2024 dhe këto dy ndeshje do t’i shërbejnë për të zgjidhur edhe dilemat e fundit që ka në mendje.
Kreu i pankinës së Shqipërisë nuk eksperimenton as në miqësore, pasi zgjedh të luajë vetëm me pak ndryshime nga formacioni që i solli kualifikimin për në Europian. Në portë do të jetë Tomas Strakosha, ndërsa përpara tij do të rreshtohen Mitaj në të majtë dhe Hysaj në të djathtë. Përkrahë Gjimshitit në qendër të mbrojtjes këtë herë do të jetë Mihaj, duke qenë se Ismajli mungon për shkak dëmtimi.
Sa i përket mesfushës, emrat janë të njëjtë: Asllani, Ramadani dhe Bajrami. Më përpara, në krahun e djathtë të sulmit do të rreshtohet heroi i kualifikueseve, Jasir Asani. Ndërkohë eksperimenti i Silvinjos nis me pjesën e mbetur të sulmit. Vendin e Cikalleshit në majën e sulmit do ta zërë Rei Manaj, ndërsa në të majtë pritet të luajë Armando Broja.
Megjithëse prej kohës luan në rolin e “9”-shit, Silvinjo mund të provojë diçka ndryshe me sulmuesin e Fullhemit. Broja ka luajtur edhe më parë në rolin e anësorit, teksa i zoëtëron të gjitha cilësitë për të mbuluar fashën e majtë të sulmit. Një paralajmërim e dha edhe vetë trajneri në konferencë për shtyp, ku pohoi se Manaj dhe Broja mund të luajnë së bashku në formacion titullar./Sport Ekspres/