Kombëtarja shqiptare e futbollit do të udhëtojë drejt Francës për një përballje të vështirë ndaj kampionëve në fuqi të botës, në datën 7 shtator. Francezët vijnë në këtë takim me shumë mungesa, megjithëse edhe stoli i tyre tremb jo pak. Për më tepër janë vendosur në pozitë paksa të vështirë pas asaj humbjeje surprizuese ndaj Turqisë.
Mungesat e shumta do të sjellin ndryshime në formacionin e “gjelave”, ndërsa reparti më pak i prekur do të jetë mbrojtja. Në portë titullar i padiskutueshëm është i përhershmi Loris. Për sa i përket mbrojtjes, pritet një rreshtim me Pavard në krahun e djathtë, Varane dhe Hernandez në qendër të saj dhe Digne që do të përmbyllë këtë repart në krahun e majtë.
Duke qenë se dy mesfushorët titullarë, Pogba dhe Kante, do të mungojnë, me shumë mundësi dyshen e tyre do ta zëvendësojë Matuidi me Toliso. Ky i fundit është më i avantazhuar në krahasim me Sisoko dhe Nzonzi pasi ka luajtur më parë me Matuidi në një ndeshje kundër Bjellorusisë në vitin 2017, pikërisht për të zëvendësuar dyshen Pogba-Kante që edhe atëherë mungonte. Për krahun e majtë është një luftë e hapur mes Coman dhe Lemar, ndërsa në të djathtë pritet ta nisë nga minuta e parë Ikone, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë me skuadrën e Lille.
Një tjetër balotazh është ai për majën e sulmit, ku Giroud do të konkurojë për një vend titullari me Ben Yedder, ndërsa Griezman do të pozicionohet në fushë pas sulmuesit kryesor si një sulmues i fshehtë. /Sport Ekspres/