Në momentin kur Thomas Brdariç mbërriti te Vllaznia, dyshimet ishin të mëdha për këtë trajner. Karriera e tij si lojtar i përkiste niveleve më të larta, por ajo si trajner mbetej anonime. Në pjesën më të madhe të rasteve, një lojtar i madh nuk arrin të jetë në të njëjtën lartësi si trajner.
Fundja, e vuajtëm me Shqipërinë dhe Panuçin. Brdariç ishte një bast i Alban Xhaferit që kërkonte me patjetër një trajner gjerman në krye të ekipit. Rezultatet i dhanë të drejtë teksa Vllaznia u rikthye në lu.ftën për titullin kampion.
E teksa në Shqipëri jemi mësuar që trajnerët të shkarkohen pa u mbushur sezoni, kjo nuk ndodhi me Brdariç, megjithëse kishte hapësirë për të mbërritur në këtë vendim. Ashtu sikurse surprizoi me rikthimin e Vllaznisë në krye, në të kundërt surprizoi për mënyrën sesi i iku titulli kampion nga duart gjatë sezonit të shkuar.
Por Vllaznia i besoi sërish gjermanit, që në këtë sezon shkoi larg pritshmërive. Ndërkohë edhe marrëdhënia e ndërtuar me gazetarët, më saktësisht nervoziteti i treguar gjatë një rezultati jo positiv, linte për të dëshiruar.
Ashtu si edhe dëshira për të marrë të gjitha meritat mbi vete në mediat gjermane, jo vetëm duke harruar drejtuesit e klubit, por edhe lojtarët. Në fund deklarata e tij pas shkarkimit, tregoi qartësisht se Brdariç nuk u largua si zotëri, megjithëse iku nga vendi ynë me kollare dhe duke fituar çmimin si trajneri i vitit në Shqipëri.
Asnjë falënderim nuk shkoi për drejtuesit e klubit, për mundësinë e besimit kundrejt tij në gjithë këtë kohë, pavarësisht sesi u mbyll historia. Por kishte vend për të komplimentuar Shqipërinë sa i përket ushqimit, motit dhe shërbim. A thua vallë se Brdaric kishte ardhur për turizëm dhe jo për të drejtuar një ekip futbolli… /Sport Ekspres/