Flet Torasa: Rikthimi në Shqipëri, Flamurtari dhe Partizani…

Rikthimi i Agustin Torasës në Superiore ishte një nga lëvizjet më të bujshme të kampionatit tonë. Argjentinasi rikthet në Shqipëri pas një viti mungesë. Sulmuesi bëri mjaft mirë te skuadra e Partizanit, por u largua si i padëshiruar nga Luçiano Moxhi. Ai u kthye në vendlindje dhe pas një viti zgjedh të kthehet në Shqipëri me skuadrën e Flamurtarit. Ekipi vlonjat e prezantoi Torasën para pak ditësh, ndërsa “Sport Ekspres” foli me të në lidhje me aventurën e re.

“U ktheva në Shqipëri, pasi kam gjetur një ambient të qetë dhe shumë të mirë. Kur isha te Partizani njerëzit më donin dhe më respektonin. Ruajta konsideratë dhe kujtime të mira, prandaj u riktheva sërish. Shpresoj që të më shkojë gjithçka mirë”.

Lojtari flet dhe për zgjedhjen e tij, Flamurtarin. “Ekipi vlonjat shprehu dëshirën për të më marrë dhe ishte i hapur për të bashkëpunuar me mua. Më plotësuan kushtet, ramë dakord dhe për objektivat dhe besoj se kanë një projekt interesant. Dua të bëj më të mirën dhe të mos i zhgënjej bregdetarët”, – u shpreh argjentinasi.

Në fund, nuk mund të mos jepte një shpjegim për mosrikthimin te Partizani. “Tifozët e Partizanit më kanë dërguar mesazhe duke më pyetur për zgjedhjen e Flamurtarit. Disa u revoltuan me mua, por i kuptoj. Ata më donin në ekip dhe unë i falenderoj shumë për dashamirësinë dhe mbështetjen ndaj meje. Nuk u riktheva te Partizani, pasi drejtuesit nuk më donin. Jam i lumtur që erdha te Flamurtari dhe besoj se do të bëjmë mirë”, – u shpreh Torasa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *