Kukësi ka luajtur sezonin më të dobët në Superiore që prej afrimit të tij në elitën e futbollit shqiptar. Për këtë arsye te verilindorët shpresojnë që kampionati të mbyllet sa më shpejt. I ftuar në “Supersport” është Ledio Pano që ka kritikuar drejtuesit e klubit për faktin se nuk po i japin ende pagat futbollistëve të tyre.
“Gjithmonë e kemi thënë se lojtarët e Kukësit kanë qenë pa nerv, pavarësisht cilësive. Por si mund të qëndrojë 4 muaj pa u paguar lojtarët? E kuptoj që mund të kalohet afati, por mund të lihet një tjetër afat, ndoshta për 40 ditë apo për 45 ditë. Por jo kështu. Pastaj kalohet te dhuna fizike brenda klubit dhe është e papranueshme. Përse nuk do t’i japësh ti lekët lojtarëve se nuk po arrin në Europë? Çfarë është kjo?”, ka thënë Ledio Pano.
Gjithashtu Pano ka komentuar edhe lëvizjen e Cinarit drejt Turqisë me arritjen e marrëveshjes: “Sigurisht që kur nënshkruan një kontratë të re nuk e ke më mendjen te klubi aktual. Mendon sesi mos të dëmtohet, të mos vritet, të mos sakatohet. Kjo na ka ndodhur edhe në më parë, e kemi kaluar vetë dhe prandaj është dëmtuese. Megjithatë nuk po thëm që lojtari nuk dha maksimumin se nuk donte”, tha Pano. /Sport Ekspres/