Para 10 vitesh, Majkëll Felps mahniste botën e sportit duke fituar 8 medalje të arta në Lojërat Olimpikë të Pekinit. Legjenda e notit numëron 28 medalje Olimpike nga të cilat 23 ari. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, 33-vjeçari tregon se si shpenzoi 1 milionë dollarët që fitoi si bonus për medaljet e fituara.
“10 vite më parë, pasi fitova 8 medalje ari në Pekin, mora një bonus prej 1 milionë dollarësh. E kisha të qartë se çdo bëja me këto para dhe krijova fondacionin Majkëll Felps. Fondacioni merret me mësimin e rëndësisë së sigurisë nga uji dhe mënyrën e jetesës së shëndetshme dhe aktive. Që kur kuptova rëndësinë e shëndetit tim mendor, kemi punuar shumë për implementimin e një komponenti në vetëdijen e shëndetit mendor. Jam shumë krenar për arritjet e fondacionit tim, por kemi akoma shumë punë për të bërë”, shkruan notari amerikan në “Insta”.
Në janar të këtij viti, Felps pranoi se kishte kaluar momente depresioni dhe kishte menduar vetëvrasjen. Në një prononcim për “CNN”, kampioni i notit pohonte problemet e tij psikologjike dhe njeriun që nuk e la kurrë vetëm.
“Dy ose tri javë më parë, kam kaluar një moment të vështirë depresioni, por kjo është diçka që do të vazhdojë të ndodhë në jetën time. Gruaja më ka mbështetur gjithmonë, ajo është gjithçka për mua dhe personi që mban me këmbë në tokë”, përfundon kampioni olimpik, i cili në vitin 2016 u tërhoq përfundimisht nga garat e notit.