Flamurtari është kthyer. Të paktën nuk është më ai i viteve të fundit, sepse është herët për të thurur lavde e për të pritur gjëra vërtet të mëdha. Megjithatë, nëse dita e mirë duket që në mëngjes, Flamurtari është kthyer.
Sot kuqezinjtë fituan 2-1 në Durrës, ndaj Teutës së Gugash Maganit, Nijas Lenës dhe Ardit Shehajt, tre “vlonjatë”, që dhanë gjithçka për të marrë 3 pikët që do ta mbanin Teutën të vetme në krye, me pikë të plota.
Nuk i kishin bërë llogaritë me Shpëtim Duron, perfekt në çdo lëvizje, duke zëvendësuar pa asnjë problem edhe dy emra të rëndësishëm si Veliu e Bicaj në qendër të mbrojtjes.
Bravo Duro, por bravo edhe Tomisllav Bushiç. Në një kampionat mediokër në aspektin sulmues, Flamurtari ka një lider, një kapiten që di të shënojë me një lehtësi impresionuese dhe sot në pjesën e parë shënoi 2 perla. Nuk shënoi Danilo Alvesh, perfekt për të humbur raste, por braziliani mbetet një motorr, ashtu si Kamara, në çdo cep të fushës.
Ndeshja do ishte mbyllur me 4-5 gola diferencë, me pak kujdes, por e hapi arbitri, ose më saktë anësori, që i dha një 11-metërsh inekzistent Teutës, kur Çyrbja u ndal jashtë zone me faull.
Nurkoviç priti gjuajtjen e Lenës, por Hila ishte aty pranë cdhe shënoi, duke e bërë fundin plot emocione, kartonë e tension. Përfundoi 2-1 për kuqezinjtë, që janë 1 pikë larg kreut, ashtu si Teuta. Flamurtari është kthyer.
Kategoria Superiore – Java 3
E diel, më 24 shtator, ora 17:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Teuta – Flamurtari 1-2
Shënues: Hila 76′ / Bushiç 3′, 37′
Teuta: Kastrati, Oluasina (Shkalla 46′), Hrkaç, Sykaj (Shehaj 46′), Beqja, Hila, Lena, Çyrbja, Dosti, Dediç (Amadu Latif 66′), Osemene. Të gatshëm: Moçka, Beqaj, Vila, Çmajçanin.
Trajner: Gugash Magani
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovksi, Jakovljeviç, Pollozhani, Mersini, Sidibe, Useini (Zhufo 90’+4), Kamara (Liçaj 86′), Musta, Alvesh (Hyseni 77′), Bushiç. Të gatshëm: Qirko, Neziraj, Neziraj, Zhufo, Ardit Hoxhaj.
Kartonë të vedhë: Hila 44′, Lena 80′ / Sidibe 49′, Siljanovski 80′, Kamara 86′, Musta 87′
Trajner: Shpëtim Duro
Arbitra: Kreshnik Cjapi, Ilir Tartari, Enea Pashaj, Ardian Beqiri
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Albano Janku