Rezultatet e deritanishme flasin për një ekip kompetitiv, por ndeshja e së dielës ka rëndësi të veçantë. Vlonjatët duhet ta mbajnë Partizanin prapa
Elton Nika
Flamurtari ka përpara një kalendar shumë të vështirë, që do të tregojë forcën reale të skuadrës vlonjate. Këtë javë skuadra kuqezi luan në fushën e Partizanit, më pas pret Kukësin dhe fillon fazën e dytë po në Vlorë me Skënderbeun. Një kalendar “ferri”, por një ekip me pretendime në të tilla situata duket. Nëse vlonjatët kalojnë me sukses këto tri ndeshje, atëherë janë vërtet në nivelin e duhur për të qenë pjesëmarrës në Kupat e Europës, ku mund t’i çojë edhe Kupa e Shqipërisë. Rezultatet e deritanishme flasin për një Flamurtar kompetitiv, por sigurisht që përplasjet me rivalët direktë janë tregues më i qartë për forcën e tij.
FORCA E TRETË – Ndeshja me Partizanin këtë diel ka rëndësinë e veçantë, sepse përcakton shumë gjëra në lidhje me ekipin, që do të vlerësohet më pas si forca e tretë e kampionatit, pas Skënderbeut dhe Kukësit, që janë të shkëputur me pikë. Për momentin janë vlonjatët në këtë vend, me 12 pikë, ndërsa të kuqtë kanë 1 dhe do të synojnë me të gjitha forcat ta parakalojnë Flamurtarin. Trajneri Duro dhe të tijtë duan minimalisht barazimin për ta mbajtur Partizanin pas, ndërsa fitorja do të ishte pa dyshim një konfirmimin i Flamurtarit si forcë e tretë e kampionatit, edhe pse nuk është mbyllur ende faza e parë e tij. Por “dielli duket që në mëngjes” dhe 90-minutëshi i së dielës në kryeqytet ka një domethënie të veçantë në këtë drejtim. Vlonjatët kanë treguar se kanë një skuadër që nuk mposhtet kollaj dhe një rezultat i mundshëm pozitiv në javën e tetë do të sillte më shumë besim dhe moral për dy sfidat e radhës me Kukësin dhe Skënderbeun. Gjithçka e tregon fusha dhe kuqezinjtë kanë rastin më të mirë të bindin edhe më skeptikët se janë ndryshe këtë sezon në lojë dhe në rezultate.
SKUADRA – Vijon në heshtje përgatitjet Flamurtari për ndeshjen e ditës së diel ndaj Partizanit. Një seancë stërvitore është zhvilluar dje, pasi ngarkesa ka nisur të ulet gradualisht për lojtarët. E gjithë vëmendja është që formacioni që pritet të zbresë në fushë nga minuta e parë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe trajneri Duro nuk do të ketë mungesa për këtë transfertë të rëndësishme, me përjashtim të mbrojtësit Franc Veliu, i cili mungon prej një kohe të gjatë. Në stërvitjen e pasdites stafi teknik ka punuar me grup të plotë, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro e ka të qartë se si do të luajë skuadra e tij ndaj të kuqve.
FORMACIONI – Pritet që të ketë ndryshime në formacionin e Flamurtarit, në krahasim me ndeshjen e fundit me Kamzën, ku jashtë mbeten Jakovljeviç në mbrojtje dhe Zhufo në mesfushë. Vendin e tyre në atë ndeshje e zunë Hyseni dhe Neziraj dhe paraqitja e këtyre dy lojtarëve ishte pozitive ndaj Kamzës. Megjithatë, gjasat janë që Jakovljeviç dhe Zhufo të kthehen në formacionin e parë, të paktën mbrojtësi. Gjendja e lojtarëve të tjerë vijon të jetë mjaft e mirë, çka bën që konkurrenca të jetë e fortë në çdo pozicion. Duke pasur një grup të plotë, por edhe në gjendje optimale, trajneri Duro mund të jetë në vështirësi për përzgjedhjen e formacionit, por në sensin pozitiv. Po ashtu, pozitiv është fakti që Flamurtari ka një stol të mirë dhe trajneri kryeqytetas mund të manovrojë në çdo rast, në varësi të ecurisë së ndeshjes.