Flamurtari në Ballsh, Duro nuk i “zë besë” Lushnjes

Trajneri i vlonjatëve vlerëson maksimalisht skuadrën e drejtuar nga Artan Bano, duke thënë haptazi se nuk ka asnjë kundërshtar të dobët në këtë kampionat

Elton Nika

Sërish jashtë fushe. Vlonjatët do të luajnë në Ballsh, pavarësisht faktit se takimi me Lushnjen duhej të luhej në Vlorë. Gjithsesi për shkak të problemeve me fushën, Flamurtari do ta luajë takimin ndaj Lushnjes në stadiumin “Adush Muçaj” shtëpi dhe do të kërkohet fitorja. Flamurtari vjen pas fitores 2-0 në Kupën e Shqipërisë përballë Dinamos në transfertë, duke hipotekuar kualifikimin, ndërsa vëmendja shkon totalisht te kampionati. Ndoshta takimi i radhës për vlonjatët nuk është cilësuar shumë i vështirë, por nuk e ka këtë mendim trajneri Shpëtim Duro, i cili kërkon vëmendje maksimale ndaj kundërshtarit të radhës, ashtu si edhe në të gjitha ndeshjet e tjera të kampionatit, pasi asnjë kundërshtar nuk konsiderohet i lehtë. “E respektoj jashtëzakonisht shumë Lushnjen dhe nuk duhet nënvlerësuar aspak, pasi do të bënim një gabim shumë të madh. E pashë edhe në ndeshjen e javës së parë përballë Vllaznisë, ku ndeshja ishte e barabartë, por vetëm goli i shënuar nga kundërshtari prishi ekuilibrat në fushën e lojës. Ky është një kampionat shumë i fortë për mendimin tim. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë kujdesin dhe vëmendjen maksimale. Janë vetëm 10 skuadra në këtë kampionat dhe asnjë skuadër nuk duhet nënvlerësuar në asnjë moment. Lushnjen e respektoj mjaft dhe është si çdo skuadër tjetër në kampionatin shqiptar, pra shumë e fortë dhe me mjaft kualitet. Lushnja vjen me të vërtetë nga Kategoria e Parë, por gjatë verës kanë ruajtur kryesisht grupin e lojtarëve që kanë pasur në përbërje, çka do të thotë se janë lojtarë që e njohin shumë mirë njëri-tjetrin dhe kanë vite që luajnë bashkë. Ndërhyrjet i ka bërë të pakta, por duke ruajtur grupin, ndaj e respektoj maksimalisht. Kërkoj si gjithmonë vëmendje maksimale. Të mos harrojmë se jemi vetëm në fillim të kampionatit, koha përpara është shumë e gjatë dhe çdo ndeshje do të ketë mjaft vështirësi. Unë shoh se ky kampionat do të ketë më shumë vështirësi se ai i vitit të kaluar, ndërsa na duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe më pas atë që vjen. Tashmë i gjithë fokusi ynë mbetet takimi me Lushnjen dhe asgjë tjetër veç këtij takimi. Ne do të luajmë sërish jashtë Vlorës për shkak të problemeve me fushën, ndërkohë që kemi vendosur të luajmë në Ballsh. Jemi informuar, e kemi parë dhe gjendja e fushës në Ballsh është mjaft e mirë, ndaj kemi vendosur që ky takim të luhej pikërisht në këtë fushë. E thashë edhe më lart se kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme. Ky grup i lojtarëve është mjaft i mirë, ndaj do të kërkojmë që javë pas jave të arrijmë aty ku duhet. Momentalisht përpara kemi takimin me Lushnjen”, përfundoi deklaratën e tij trajneri Duro.

Musta fiton formacionin
Priten ndryshime të vogla në formacionin krahasuar me ekipin që zbriti në fushë nga minuta e parë me Skënderbeun. Shumë lojtarë që kishin pak minuta u aktivizuan ndaj Dinamos në Kupë, ndërsa pritet që tani të ketë ndryshime. Emiljano Musta pritet të jetë titullar duke parë paraqitjen në Kupë, megjithatë gjithçka do të vendoset vetëm ditën e ndeshjes. Mungesa e vetme te Flamurtari është ajo e mbrojtësit Franc Veliu, për të cilin duhet pritur ende të rikthehet në fushën e lojës.

Formacioni i mundshëm
Nurkoviç – Siljanovski, Jakovljeviç, Bicaj Musta – Useini, Sidibe, Pollozhani – Zhufo, Alvesh – Bushiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online