Skuadra kuqezi duket se ka probleme në prapavijë dhe trajneri Duro duhet të ndërhyjë në këtë repart sa më parë
Vlonjatët luajtën miqësoren e dytë dje në Maqedoni. Ata u mundën nimimalisht 1-0 në stadiumin e Gostivarit nga ekipi me të njëjtin emër. Trajneri Shpëtim Duro ka pasur si qëllim të shohë gjendjen e të gjithë futbollistëve dhe i ka aktivizuar të gjithë ata që kishte në dispozicion. Flamurtari është kthyer me “këmbë në tokë” në një farë mënyre, pasi pas fitores në miqësoren e parë me Makedonijan po flitej me nota tejet pozitive. Ajo që bie në sy është se në dy miqësore skuadra e Duros ka pësuar 4 gola, që do të thotë se prapavija ka probleme dhe duhet parë çfarë nuk shkon. Ndoshta ky repart nuk është stabilizuar, edhe pse i vetmi lojtar që është shtuar gjatë merkatos së verës është Bicaj. Ka ende kohë dhe në program janë miqësore të tjera, e radhës sërish në tokën maqedonase, ndaj dhe stafi teknik do të ketë shansin të përmirësojë shumë gjëra, që Flamurtari të jetë sa më i konsoliduar para nisjes së sezonit të ri. Kuqezinjtë kthehen në Vlorë më 7 gusht dhe më pas do të bëjnë një fazë të dytë përgatitore në Greqi. Mbetet të mësohet se cili do të jetë kundërshtari i testit të radhës në Maqedoni. Dje ka luajtur edhe sulmuesi brazilian Danilo Alvesh, i cili është bashkuar me vonesë me skuadrën në Mavrovë të Maqedonisë, ku po kryen përgatitjet.