Flamurtari kryen goditjen e parë, vjen një sulmues serb

Flamurtari më në fund ka gjetur rrugën e duhur dhe këtë sezon po lufton për një vend në kupat e Europës, duke pësuar vetëm një humbje deri tani. Megjithatë, skuadra e rindërtuar në verë ka nevojë për disa meremetime dhe drejtuesit e klubit e kanë pranar se do të synohet afrimi i 2-3 lojtarëve, në mesfushë e sulm.

Goditja e parë ka ardhur, sepse “Sport Ekspres” mëson se sulmuesi serb Igor Nedeljkoviç ka arritur marrëveshjen me klubin vlonjat.

Sulmuesi nga Beogradi luan në të gjitha pozicionet në sulm dhe është një alternativë e mirë edhe për Bushiç, pasi kapiteni kuqezi nuk ka zëvendës për momentin.

26 vjeç, Nedeljkoviç ka goxha eksperiencë, ndërsa në dy sezonet e shkuar shënoi 24 gola në kampionat maqedonas, aty ku e ka pikasur edhe trajneri Shpëtim Duro, i cili nuk ka gabuar asnjë blerje këtë verë.

Në merkaton verore Nedeljkoviç kishte oferta nga Shkëndija, Vardari e Rusia, por zgjodhi milionat nga Hong Kongu, duke firmosur për Pegasus, një ndër klubet më të fuqishëm të vendit aziatik. Tashmë sulmuesi kthehet në Ballkan dhe pranon ofertën e Flamurtarit. Si zakonisht, vlonjatët nuk preferojnë emra të bujshëm dhe niveli i pagave është ulur ndjeshëm në krahasim me sezonet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *