Ishte një finale e vogël për të përcaktuar forcën e tretë të kampionatit dhe duket se është Flamurtari skuadra më e aftë të luftojë kundër Skënderbeut dhe Kukësit.
Një fitore e madhe 1-0, vendosur nga një gol i Ardit Hoxhajt, i cili ishte zgjedhja perfekte e Shpëtim Duros, strategu që i dha leksion Partizanit dhe Julianos.
Ardit Hoxhaj i ka shënuar edhe më parë Partizanit dhe e ëndërronte nj shans, Duro ia dha dhe habiti, duke luajtur me Bushiç, Danilo Alvesh, Kamara e Hoxhaj nga minuta e parë.
Në minutën e 25-të Flamurtari shënoi një gol model, Partizani fjeti gjumë dhe duhej ta mbyllte pjesën e parë me 10 lojtarë, por Kridens Meta fali Ibrahimin për një faull tepër të rrezikshëm.
Në pjesën e dytë ndeshja vazhdoi me ritëm të ulët, ashtu si dëshironte Flamurtari, ndërsa Partizani vetëm në minutën e fundit i shkoi shumë pranë barazimit, që nuk do të ishte i merituar ghjisthsesi.
Guerrils ishin të zemëruar me lojtarët para ndeshjes, me një tjetër parullë kundër tyre, imagjinoni pas kësaj ndeshjeje të shëmtuar.
Flamurtari është super. Nuk është ende në lartësinë e Skënderbeut dhe Kukësit, por Kukësin e pret pas një jave, ku i dihet ç’gatuan Shpëtim Duro!
E diel, më 29 tetor, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani-Flamurtari 0-1
Shënues: Ardit Hoxhaj 25′
Partizani: Hoxha, Progni, Malota, Ibrahimi, Kalari, Vila, La Kamera (Bardhi 46′), Batha, Adorjan (Herrera 27′), Trashi, Basrak (Asani 81′). Trajner: Mark Juliano
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski (Jakovljeviç 58′), Bicaj, Pollozhani, Musta, Useini, Sidibe, Hoxhaj (Liçaj 81′), Kamara, Alvesh (Neziraj 70′), Bushiç. Trajner: Shpëtim Duro
Kartonë të verdhë: Ibrahimi 36′, Progni 47′ / Ardit Hoxhaj 26′, Kamara 76′, Sidibe 90′
Gjyqtarë: Kridens Meta, Rejdi Avdo, Denis Rexha, Ermal Barushi
GOLI
25′ GOL FLAMURTARI Një kros nga Kamara nga e majta e sulmit vlonjat gjen në zonë Ardit Hoxhajn. Vlonjati ndal topin dhe godet fuqishëm, duke shënuar, ashtu si bënte kur luante me Bylisin.
EPISODET
36′ Labinot Ibrahimi ndërhyn me këmbën e ngritur ndaj Useinit. Faull shumë i rrezikshëm, Ibrahimi ia hedh paq, pasi merr vetëm karton të verdhë. Mund të ishte i kuq direkt!
90’+5 Bushiç në zonë, kalon Hoxhën dhe përplaset me portierin e Partizanit. Penallti, që nuk jepet për Flamurtarin.