Përveç rasteve kur gabimet kanë ndikuar në rezultat, janë edhe disa të tjerë, madje flagrantë, por që kanë ndodhur në ndeshje, ku vlonjatët kanë fituar
Elton Nika
Flamurtari ka barazuar me Kukësin, me rezultatin 1-1, duke shtuar kështu një tjetër ndeshje pa fitore me veriorët, të cilët mbeten macja e zezë e vlonjatëve. Përtej rezultatit, ajo që i ka acaruar më shumë drejtuesit dhe tifozët e Flamurtarit ka të bëjë me gjykimin. Dje klubi kuqezi ka postuar në faqen zyrtare një video, që tregon pamjet e një ndërhyrjeje të gabuar në zonë nga mbrojtësit e Kukësit, konkretisht të Albi Allës. Pamjet i referohen minutës së 86-të të ndeshjes, kur Alla ndërhyn ashpër ndaj dy lojtarëve të Flamurtarit, por ky rast nuk është konsideruar 11-metërsh nga ana e gjyqtarit Eldorjan Hamiti. Më pas aksioni vazhdon me gjuajtjen e mesfushorit Kamara jashtë kuadratit dhe rasti i diskutueshëm mbulohet në atë moment.
Por një ditë pas ndeshjes, kur kanë parë pamjet filmike, drejtuesit e klubit kanë reaguar, duke e publikuar rastin e diskutueshëm në faqen zyrtare, ku shtojnë pyetjen e thjeshtë: “Po ky rast, si interpretohet?” Një penallti e mohuar, që ndikon në rezultat, pasi mund ti jepte fitoren Flamurtarit në atë ndeshje. Kontestimet kanë qenë të ashpra për golin e anuluar në kohën shtesë. Trajneri Duro tha se në Kukësi ai gol do të vlerësohej i rregullt, kurse Flamurtarit iu mohua. Në fakt, goli ishte i parregullt.
8 PIKË MINUS – Janë disa raste, ku vlonjatët kanë pretendimet e tyre, jo vetëm për takimin me Kukësin, por edhe në ata të mëparshmit. Sipas një llogarie të bërë nga klubi kuqezi, gabimet e gjyqtarëve i kanë kushtuar Flamurtarit tetë pikë, pa llogaritur gabimet në ndeshje, ku nuk kanë ndikuar në rezultat. Ja disa nga rastet e evidentuara në 9 ndeshjet e deritanishme, ku vlonjatët gjykojnë se u është ngrënë haku:
Flamurtari-Luftëtari – Minuta e 14-të. Ndërhyrje dyshe ndaj Danilo Alveshit dhe 11-metërsh i paakorduar: 2 pikë minus.
Vllaznia-Flamurtari – Akordohet 11-metërsh në favor të Vllaznisë, pas një ndërhyrjeje jashtë zonës. Nuk jepet 11-metërsh për një ndërhyrje në dëm të Bicajt: 2 pikë minus.
Laçi-Flamurtari – Dy prekje me dorë brenda zonës së Laçit, por për arbitrin nuk ka penallti: 2 pikë minus.
Flamurtari-Kukësi – E fundit është ndeshja e djeshme. Alla shkakton 11-metërsh, por arbitri Hamiti nuk e akordon: 2 pikë minus.
GABIMET PA KOSTO Përveç 4 rasteve të sipërpërmendura, ku vendimet e gjyqtarëve kanë ndikuar në rezultat dhe i kanë shkaktuar dëm skuadrës vlonjate, që sot duhej të kishte 24 pikë, ka edhe gabime të tjera, që nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Teuta-Flamurtari Ka 11-metërsh në favor të Teutës, ndërkohë që ndërhyrja e Pollozhanit është kryer jashtë zonës, ashtu si ndaj Vllaznisë. Por kjo penallti nuk ndikon në rezultat, sepse Flamurtari arriti të fitonte 1-2 në atë ndeshje.
Partizani-Flamurtari – Vlonjatëve u mohohet një penallti neto në këtë ndeshje, në minutën e 92-të. Portieri Hoxha ndërhyn në mënyrë të gabuar në dëm të Bushiçit, por kjo ndërhyrje është vlerësuar e rregullt nga gjyqtari. Flamurtari e fitoi në Selman Stërmasi me rezultatin 0-1.
Flamurtari-Kamza Në pjesën e parë ka një ndërhyrje direkt në këmbët e Useinit brenda zonës, por edhe në këtë rast nuk ka 11-metërsh për Flamurtarin, që fiton 1-0 në fund. Shumë 11-metërsha të padhënë në favor të vlonjatëve. Ndoshta sot Bushiç mund të ishte 10 gola..?