Shumë të nderuar anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit!
I nderuar President i FFK, z. Agim Ademi,
I dashur Lorenzo Cavallari, përfaqësues i FIFA-s në këtë Asamble tonën,
I nderuar përfaqësues i UEFA-s, Denis Bastari
Të respektuar përfaqësues të medias!
Mirëdita dhe mirë se keni ardhur sot në këtë Asamble, në mbledhjen më të rëndësishme të familjes sonë të futbollit!
Sot ne do të raportojmë për çfarë kemi bërë përgjatë periudhës mes dy Asambleve, për financat, aktivitetet, politikat që kemi ndjekur, projektet që kemi zhvilluar, por edhe për të kërkuar mirëkuptimin tuaj për buxhetin, projektin dhe planet e të ardhmes.
Politikat tona gjatë kësaj periudhe gjithmonë kanë pasur vetëm një qëllim. Zhvillimin e lojës së futbollit në Shqipëri, masivizimin e tij dhe sigurimin e një të ardhmeje të ndritur për këtë lojë. Asnjëherë ne nuk jemi nisur në politikat tona për interesa personale, por gjithmonë për interesin e institucionit, duke vendosur lojën mbi të gjitha. Çdo projekt, financim, aktivitet që kemi kryer gjatë kësaj periudhe është në përputhje të plotë dhe për të realizuar objektivat e miratuara nga ju në strategjinë ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’, duke filluar që nga projektet ‘Uniforma ime’ dhe vazhdimi i projektit ‘Topi yt’, investimet e gjithçka tjetër.
Jemi tashmë në fundin e sezonit të parë të një reforme të futbollit të fëmijëve dhe të rinjve, reformë që ndryshoi jo vetëm strukturën e ekipeve pjesëmarrëse, por incentivoi aktivizimin e futbollistëve të rinj në ekipet e Kategorisë së Parë, që kanë nisur të japin rezultate. Jam shumë i sigurt, që me kalimin e viteve – dhe ne duhet të kemi durim – rezultatet do të jenë akoma më të mira. Kjo reformë u bë me të vetmin qëllim, për t’u shërbyer më shumë profesionistëve dhe për t’u lënë më shumë hapësirë amatorëve.
Falë kësaj reforme, projektit Uniforma Ime, Topi Yt, e investimeve ne infrastrukture, gjatë kësaj periudhe mes dy asambleve janë regjistruar 1 mijë e 100 fëmijë më shumë në total. Sot kemi 21,720 lojtarë të regjistruar, nga të cilët 18.100 djem dhe vajza 7 deri në 19 vjeç.
Gjithashtu pjesë e reformës së të rinjve, pra incentivimi i klubeve të Kategorisë së Parë që aktivizojnë futbolliste të rinj nga 16-21 vjeç, jo vetëm ka bërë që t’u jepet hapësirë të rinjve dhe talenteve të luajnë në Kategorinë e Parë, por ka ndihmuar dhe buxhetet e klubeve. Unë i ftoj klubet e Kategorisë së parë ta përkrahin këtë reformë edhe më shumë, për të rritur talentet dhe për të ndihmuar, sicc thashë, edhe buxhetin e tyre.
Sot në sallë kishim Ministren e Arsimit dhe Sportit, zonjën Evis Kushi, të cilën dua ta falënderoj edhe njëherë për marrëveshjen që firmosëm për Futbollin në Shkolla.
Një projekt shumë i rëndësishëm për lëvizjen futbollistike e cila do të shtrijë futbollin në të gjithë shkollat 9-vjeçare të vendit falë edhe mbështetjes së FIFA-s. Dua të falënderoj përzemërsisht edhe një herë Presidentin Infantino, që premtoi dhe mbështeti këtë projekt.. Në fazën e parë, që fillon në shtator të këtij viti, do të shtrihet ne 116 shkolla 9-vjeçare. Muajin e ardhshëm instruktorët e FIFA-s do të jenë në Shtëpinë e Futbollit për të bërë trajnimin dhe certifikimin e mësuesve të Edukimit Fizik që do të jenë pjesë të këtij projekti. Ky projekt do të angazhojë me mijëra fëmijë dhe shfrytëzoj mundësinë nëpërmjet kësaj Asambleje t’ju bëj thirrje, ju si klube, për të hedhur sytë nga klasat e futbollit dhe për t’i përfshirë këto fëmijë në shoqatat e akademitë tuaja.
Në fazën e dytë, do të shtrihet edhe në 416 shkolla të tjera 9-vjeçare për të mbuluar të gjithë territorin.
Investimet e kësaj periudhe kane qene gjithashtu ne ndjekje te strategjisë së hartuar e miratuar nga ju:
- Përfunduam dhe inauguruam Shtëpinë e Futbollit, një kompleks modern, që krijon kushte jo vetëm për zyrtarët, administratën e Federatës dhe për ju, por për të gjithë ekipet tona Kombëtare, me të gjitha asetet e domosdoshme për stërvitje, rikuperim e të tjerë.
- Ka nisur transformimi i Qendrës Sportive Kamëz, ku po rinovojmë të gjithë ambientet dhe në të njëjtën kohë po ndërtojmë një fushë të tretë stërvitore me bar artificial.
- Kemi vijuar investimet në stadiumin e Kukësit, për ta ngritur atë në një nivel më të lartë licensimi nga UEFA.
- Përfunduam aneksin e “Kukës Arena”, një investim në kuadër të projektit tonë të 100 fushave.
- Kemi mbështetur investimin gjigand të familjes Demi për klubin e Partizanit. Gjej rastin ta falënderoj Presidentin Demi për këtë vlerë të shtuar në futbollin shqiptar. Në “Arenën e Demave” kemi miratuar së fundmi implementimin e sistemit të aksesit, rrethimit adekuat dhe mobilimin sipas standarteve më të larta të kërkuara nga UEFA për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare.
- Përfunduam një ndërhyrje në stadiumin e Lushnjes për rigjenerimin e fushës, sistemin e vaditjes dhe përshtatjen e tij për kategorinë ku ata luajnë.
- Inauguruam aneksin ngjitur me tribunën, një fushë me bar artificial për akademinë e Lushnjes dhe po ecën investimi për ndërtimin e aneksit të dytë me bar natyral pranë stadiumit të Lushnjës.
- Përmbyllëm me sukses investimin në stadiumin e Vorës, një tjetër bashkëpunim i frytshëm me Bashkinë atje për ndërtimin e një stadiumi komod ku ne si Federatë kishim një pjesë të ndjeshme të investimit. Në Vorë gjithashtu po ecim për finalizimin e një tjetër investimi, konkretisht në Ahmetaq për ndërtimin e një terreni të ri stërvitor me tapet artificial ku do të stërvitet ekipi i Vorës dhe të gjithë fëmijët e zonës.
- Transformuam krejtësisht stadiumin e Luzit, duke e kthyer në një ambient model, duke investuar në bazamentin e fushës, instaluar sistemin e vaditjes, mbjelljen e barit dhe pajisjen me çdo gjë ndihmëse, në bashkëpunim me klubin e Luzit.
- Një investim madhor ishte në Orikum ku së bashku me Bashkinë rinovuam plotësisht bazamentin dhe vendosëm tapetin artificial.
- Inauguruam aneksin e dytë të Klubit Teuta, edhe ky një projekt në bashkëpunim me pushtetin lokal në Durrës.
- Kemi miratuar shtrirjen e investimeve në të gjithë vendin, siç janë fushat në Shkodër, Laç, Divjakë, Përmet, Roskovec, Lezhë e Berat. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë klubeve e bashkive që të bashkohen me ne në projektin e 100 fushave.
- Gjej rastin të falënderoj Qeverinë shqiptare për përfundimin e projektimit të tre stadiumeve të reja në Korçë, Durrës dhe Vlorë. Këto tre stadiume do të rrisin akoma më shumë futbollin shqiptar.
Të nderuar President e drejtues klubesh,
Nga Asambleja e marsit të vitit të shkuar e deri më sot, të udhëhequr nga vizioni jonë për të qenë një forcë shtytëse pozitive në hapësirën sportive dhe sociale mbarëshqiptare, ne arritëm të realizojmë me sukses 12 turne ndërkombëtar për djem dhe vajza. Organizimi i kaq shumë aktiviteteve ndërkombëtare është konfirmim i jashtëzakonshëm i rritjes dhe profesionalizmit të administratës së FSHF-së, vizionit, lidershipit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me UEFA-n.
Mirëpritën në Tiranë finalen e madhe të UEFA Europa Conference League duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e futbollit europian dhe atij botëror me 155 shtete në të gjithë botën, që transmetuan këtë finale duke i bërë vendit dhe futbollit tonë një reklamë mbresëlënëse. Mijëra tifozë, gazetarë, figura legjendare futbolli, sponsor, njerëz nga bota e financës dhe menaxhimit, patën mundësi të kalonin orë fantastike në Tiranë duke gjetur një mikpritje dhe një organizim perfekt.
Në këtë vit shumë pozitiv për futbollin shqiptar nuk mund të mos ndalem e të vlerësoj rolin dhe rëndësinë që kanë për ne partnerët strategjikë.
UEFA dhe FIFA në vitin që po lëmë pas kanë qenë çdo hap pranë nesh, me frymën e madhe të solidaritetit, përmes programeve të tyre mbështetëse na dhanë një ndihmë të madhe në objekti vat e rëndësishëm të rritjes së mëtejshme të futbollit tonë. Jo vetëm në drejtimin financiar, por edhe në mirëqeverisje, edukim apo projekte infrastrukturore. Jam padiskutim krenar për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe solide që kemi sot me FIFA-n dhe UEFA-n e me te gjitha federatat homologe.
Duhet të ndalem dhe të nënvizoj përfaqësimin e rëndësishëm të futbollit shqiptar në trupat e UEFA-s. Sot që flasim niveli ynë i përfaqësimit me zyrtarë shqiptarë në ndeshje ndërkombëtare të UEFA-s është më i lartë se kurrë më parë. Janë 15 arbitra e arbitre shqiptarë që drejtojnë ndeshje ndërkombëtare të të gjitha niveleve, 5 delegatë të certifikuar nga UEFA, të cilët menaxhojnë organizime të mëdha siç janë ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s, dhe 16 anëtarë komitetesh dhe panelesh në strukturat e qeverisë së futbollit europian.
Për të kaluar në rajonin tonë, dëshiroj të theksoj se bashkëpunimi ynë me federatat e Kosovës dhe Maqedonisë e Veriut sa vjen e bëhet më i ngushtë e më i mirë në çdo aspekt. E them me shumë kënaqësi se tre federatat tona kanë krijuar një klimë fantastike për të mirën e futbollit përmes shkëmbimit të eksperiencave, ndihmës që i japim njëri-tjetrit, organizimit të aktiviteteve të shumta, etj. Së fundmi në Kosovë kemi pasur një situatë të pakëndueshme , e cila vetëm futbollit nuk i shërben ose e dëmton atë. Unë uroj qe kjo situate te jete tejkaluar pas licensimit te FFK dhe klubeve nga Ministria e sportit për t’i hapur rrugën zhvillimit të futbollit.
Unë i bëj thirrje nga kjo asamble edhe atyre individëve që për arsye apo inate personale pengojnë mbarëvajtjen e punës në FFK, që të heqin dorë nga kjo sjellje dhe të bashkojnë forcat e energjitë me Presidentin Ademi, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FFK për të mirën e lojës sonë. Për të mirën e futbollit në Kosovë.
Të dashur miq,
Futbolli i vajzave dhe grave është një tjetër prioritet i madh i shpallur nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe duhet të them pa asnjë droje se jemi duke ecur me hapa të sigurt në rritjen dhe masivizimin e “këtij futbolli të ri” për vendin tonë.
Mbështetur te strategjia jonë 5 vjeçare rritja ka qenë cilësore dhe sasiore. Ekipi ynë Kombëtar i vajzave arriti rekordin e pikëve në një fushatë eliminatore për Kupën e Botës plot 10 pikë, duke na bërë shumë krenar. Ekipi jonë kampion, Vllaznia, arriti të shkruajë historinë duke arritur në fazën e grupeve të Champions League duke u përballur me skuadrat më të mëdha të botës. Arritje këto që konfirmojnë se politika jonë për të investuar një pjesë të rëndësishme të buxhetit te futbolli vajzave ka dhënë frytet e veta.
Po vazhdojmë të incentivojmë drejtpërdrejtë të gjithë sezonin trajnerët, stafet dhe lojtare që marrin pjesë në kampionatin kombëtar dhe kjo padiskutim ka rritur cilësinë dhe ka nxitur më shumë punën në drejtim të thithjes së elementëve të talentuar.
Vazhdojmë me sukses kampionatet Rajonale të vajzave U-13 ashtu si edhe Kampionatin Kombëtar U-16 ku marrin pjesë 12 skuadra.
Kampionati i Shkollave 9 vjeçare është gjithashtu pjesë e rëndësishme e jona duke arritur t’i ofrojmë vajzave futbollin në përditshmërinë e tyre.
Jemi në edicionin e dytë të projektit Playmakers, një bashkëpunim prestigjioz me UEFA-n dhe kompaninë “Disney”, që synon të familjarizojë dhe afrojë vajza të moshës 5-8 vjeç me futbollin, duke i prezantuar me lojën magjike të futbollit nëpërmjet figurave të fabulave më të dashura për fëmijët.
Kemi krijuar ekipin Kombëtar të vajzave U-15, një tjetër objektiv në strategjinë tonë Futbolli për Kombin 2025 që i shtohet Kombëtareve U-17 dhe U-19 që luajnë rregullisht në aktivitete ndërkombëtare.
Futbolli amator është një tjetër degë e rëndësishme e garave dhe kompeticioneve që ne si FSHF organizojmë. Këtë vit kemi pasur një rritje të ndjeshme të aktivitetit të saj. Kemi ngritur Drejtorinë e Futbollit Amator që për ne si FSHF është shumë e rëndësishme në kuadër të politikave tona zhvillimore dhe objektivit për të pasur një shoqëri që luan më shumë futboll dhe është më e shëndetshme duke parë që jemi vendi me mesataren më të ulët në Europë të njerëzve që merren me sport. Vetëm këtë vit janë zhvilluar dhe janë të regjistruar 3520 lojtarë. Mesatarisht zhvillohen 60 ndeshje në javë dhe 60 zyrtarë çdo javë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e këtyre ndeshjeve ku ofrohet siguri, mjek dhe arbitra. Vlen të përmendet si arritje shumë e rëndësishme paraqitja e ekipit Kombëtar të Futbollit 6×6 që mori pjesë në Kampionatin Europian dhe arriti të kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Botëror Gjermani 2023.
Në Departamentin e Edukimit kemi ecur me ritme shumë të kënaqshme përsa i përket përgatitjes së burimeve njerëzore të kualifikuara në të gjitha fushat e veprimtarisë së futbollit. Kemi konsoliduar shumë mirë Departamentin e Analizës i cili organizon kurse për Video-Analistë duke certifikuar profesionistë që punojnë në të gjitha skuadrat tona kombëtare, klubet profesioniste por edhe akademitë që e kanë përfshirë tashmë në organigramën e tyre. Në drejtim të mjekësisë sportive kemi gjithashtu zhvillime shumë pozitive me kurse të një nivelit të lartë që zhvillojnë profesionistët e këtij profili duke edukuar, kualifikuar dhe certifikuar mjekë e fizioterapistë që sot shërbejnë në të gjithë futbollin tonë, nga moshat te futbolli profesionist. Vazhdojmë gjithashtu kurset për përgatitës atletik, drejtorë sportive, UEFA C, B, A dhe Pro. Risia e këtij viti nga ky Departament janë kurset për përgatitësit e portierëve, UEFA B Goalkeeping dhe Kursi i Skautizimit. Profile të reja që shtohen dhe do të përmirësojnë e ndihmojnë gjithmonë e më shumë klubet tona për të pasur burime njerëzore të kualifikuara.
Në drejtimin financiar duhet të them se financat tona janë solide dhe ne punojmë çdo ditë për to. Jo për faktin se ato janë qëllimi ynë por ato janë të domosdoshme, jetike, për të realizuar e arritur me sukses projektet e objektivat tonë. Gjithashtu sponsorat tanë janë rritur në numër dhe në vlerë. Ky është një tregues që konfirmon se kanë gjetur tek ne partner solidë. Shfrytëzoj këtë Asamble për të falënderuar të gjithë sponsorat tanë që na kanë qëndruar pranë edhe në momente të vështira që kemi kaluar të gjithë bashkë si Pandemia apo Tërmeti dhe ata asnjëherë nuk e vendosën në diskutim lidhjen tonë. Mirënjohje për Vodafone, Macron, Sigal, Union Bank, Ujin Tepelena, Ama Caffe, Vas Tours, Infinity Destination, Mak Albania.
Komiteti Ekzekutiv këtë vit ka pasur një performancë shumë positive duke kontribuuar maksimalisht në drejtim të nismave dhe reformave që ne kemi ndërmarrë nga futbolli fëmijëve te futbolli vajzave, mjekësisë sportive, edukimit dhe investimeve. Kam parë angazhim në drejtimin e komisioneve të tyre dhe kontributi i tyre është një vlerë e shtuar në rritjen tonë si institucion.
Ekipet Kombëtare gjithashtu këtë vit janë prekur nga një reformë e rëndësishme. Sot që flasim ekipet tona kombëtare kanë stafet e tyre full time në FSHF. E gjitha kjo e kryer për të pasur mundësi të ndjekim talentin gjatë të gjithë vitit kudo që ata të jenë dhe në të njëjtën kohë një mënyrë e shkëlqyer për të pasur një eficencë më të madhe në bashkëpunimin e përditshëm, koordinimin e punëve dhe zhvillimin e grumbullimeve javore për të gjithë skuadrat kombëtare të moshave.
Të dashur anëtarë,
Familja jonë është e shëndoshë. Jam shumë krenar për këtë. Padyshim që anëtarët në disa raste i ndan rezultati dhe mbase ndonjëherë e ekzagjerojnë por jam i bindur se i bashkon një qëllim i madh, një interes i përbashkët, ai i zhvillimit të lojës sonë dhe e ardhmja e saj.
Përpara kemi sfida e projekte të mëdha dhe unë jam besimplotë se edhe ky vit do të jetë shumë pozitiv për futbollin tonë.
Ekipi Kombëtar ka përpara një objektiv të rëndësishëm, por plotësisht të arritshëm: Kualifikimin në Kampionatin Europian Gjermani 2024. Me mbështetjen e Federatës, tifozëve, opinionit publik dhe duke qenë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët ne besojmë se do ta rikthejmë Shqipërinë në Euro2024.
Ekipi Kombëtar U-21 nis në shtator fushatën kualifikuese për Kampionatin Europian. Edhe për kuqezinjtë 21 vjeçar ne kemi të njëjtin objektiv. Kualifikimin. Këto objektiva nuk janë absolutisht dëshira por produkt i një pune të madhe që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë me ekipet kombëtare në të gjitha moshat.
Në këtë vit ne do të vazhdojmë të investojmë pandalim projekte infrastrukturore për të ndërtuar sa më shumë fusha futbolli në të gjithë vendin. Do të ecim përpara me projektet Uniforma Ime dhe Topi Yt e do të incentivojmë futbollin e fëmijëve dhe të vajzave për të arritur objektivat e rëndësishëm që kemi paracaktuar.
Sfidat janë të mëdha, por ne pëlqejmë të sfidohemi dhe ti arrijmë të gjithë ato. Ashtu si edhe atë për organizimin e një Kampionati Europian në Shqipëri. Dua të ndaj me ju lajmin e shkëlqyer se administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit sapo ka përmbyllur aplikimin për organizimin e një Europiani për moshat në vendin tonë. Jam shumë optimist se aplikimi jonë do të jetë fitues dhe Shqipërisë do ti besohet organizimi i një kompeticioni madhor europian.
President, drejtues klubesh, miq e të ftuar,
Dua t’ju falënderoj për kohën që më dhatë dhe dëshiroj t’i uroj punime të mbara kësaj Asambleje. Punë të mbarë dhe klubeve tona në këtë fund sezoni ku të gjithë kanë ende objektiva të rëndësishëm për të arritur.