10 ndeshje 10 fitore. Tetë në kampionat dhe dy në Champions Ligë. Ky Juventus është i fortë dhe i frikshëm. Bardhezinjtë triumfuan kundër Udinezes në transfertë me golat e Bentakur dhe Kristiano Ronaldos.
Trajneri Maks Alegri është shfaqur i kënaqur pas fitores, mbi të gjitha për qarkullimin e shpejtë të topit. Tashmë vjen pushimi si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve dhe kjo është një gjë e mirë për ekipin, që do të ketë mundësinë të rikuperojë energjitë.
FITORJA – “Kemi punuar për të bërë mirë që në fillim. Sonte nuk ishte e thjeshtë, por zhvilluam një nga ndeshjet tona më të mirë në aspektin teknik, krijuam shumë raste dhe nuk i lamë hapësira Udinezes. Hera e parë që nuk pësojmë gol në dy ndeshje rresht dhe kjo është një gjë pozitive. Po përmirësohemi hap pas hapi, kundër Napolit e lamë lojën kur ata mbetën me 10-të vetë.”
SKUADRA – “Bentakur zhvilloi një takim të mirë dhe shënoi, ndërsa Manxhukiç nuk pushon kurrë së vrapuari, madje nuk përton ta bëjë dhe në minutën e 96-të të ndeshjes. Kanselo zhvilloi një takim të mirë, iu afrua dhe golit, por mund të përmirësohet akoma.”
NDRYSHIMI POZITIV – “Sot më pëlqeu qarkullimi i topit dhe shpejtësia me të cilën e bëmë. Është diçka natyrale me kualitetin që zotërojmë, po rritemi dhe fizikisht dhe pushimi vjen në kohë e duhur për të rifituar energjitë.”
UNË SI MENAZHER I STILIT ANGLEZ? – “Gjithmonë kemi vendosur të gjithë bashkë. Njihemi të gjithë shumë mirë dhe është normale që të jap indikacionet e mia sa i përket merkatos.”