Fitore e madhe për Zvicrën! Granit Xhaka kualifikohet për çerekfinalen e Botërorit, do të luajë kundër Argjentinës

Zvicra është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kolumbinë pas goditjeve të penalltive, në një sfidë dramatike që përfundoi 0-0 pas 120 minutave lojë. Helvetët triumfuan 4-3 nga pika e bardhë, duke siguruar një biletë historike për në mesin e tetë skuadrave më të mira të turneut.

Një nga figurat kryesore të Zvicrës ishte kapiteni Granit Xhaka, futbollisti me origjinë shqiptare nga Kosova, i cili edhe një herë dëshmoi rëndësinë e tij në mesin e fushës. Me qetësinë, eksperiencën dhe aftësinë për të organizuar lojën, Xhaka udhëhoqi skuadrën në një ndeshje shumë të luftuar ndaj një Kolumbie që krijoi raste, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Sipas statistikave të turneut, mesfushori vazhdon të jetë një nga lojtarët më dominues në ndërtimin e aksioneve dhe lideri absolut i përfaqësueses zvicerane. Ndeshja në Vancouver ishte e mbushur me emocione dhe raste të humbura nga të dyja skuadrat, ndërsa gjithçka u vendos te penalltitë. Portieri Gregor Kobel priti një goditje vendimtare, ndërsa Ruben Vargas realizoi penalltinë e fitores, duke vulosur kualifikimin e Zvicrës.

Për Granit Xhakën, ky është një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën e tij me fanellën zvicerane. Futbollisti, krenar për rrënjët e tij shqiptare, vazhdon të jetë frymëzim për mijëra tifozë shqiptarë, të cilët ndjekin me interes paraqitjet e tij në arenën ndërkombëtare. Në çerekfinale, Zvicra do të përballet me Argjentinën, në një duel spektakolar ku Xhaka dhe shokët e tij do të synojnë të vazhdojnë ëndrrën për një sukses historik në Botëror. /Sport Ekspres/