Musa Mohamed është një prej lojtarëve të larguar nga Tirana. Bardheblutë e morën qendërmbrojtësin nga Gor Mahia, por keniani, që kishte mbajtur shiritin e kapitenit te ish-skuadra e Ze Marias, nuk arriti të ishte në lartësinë e pritshmërive që kishin në klubin kryeqytetas.
Qendërmbrojtësi më pas u largua dhe akuzoi për paga të pamarra, gjë që u kundërshtua nga Tirana. Tanimë Musa Mohamed është bërë me ekip të ri, teksa ka nënshkruar me Nkana FC në Zambia. Atje ai ka nënshkruar për 2 vite, ndërkohë që ka thënë edhe fjalët e tij të para për këtë eksperiencë të re.
“Është një kapitull i ri në karrierën time dhe jam shumë i kënaqur që i bashkohem këtij klubi. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë për mua, por gjithçka i përket së shkuarës dhe po shoh përpara për këtë sfidë të re dhe do bëj më të mirën time. Ajo çfarë ndodhi te Tirana ishte e vështirë për mua, por mora mësime. Tani dua të vë të gjitha energjitë e mia për të pasur sukses këtu te Nkana. Është një klub i madh dhe me vizion. Shpresoj të ndihmoj në arritjen e objektivave të vendosura nga klubi”, ka deklaruar për Capital Sport 27-vjeçari, i cili me Tiranën në kampionat u aktivizua vetëm në katër ndeshje.