UEFA duket se e ka marrë vendimin në lidhje me fatin e Champions League për këtë sezon. “Sky Sport” zbulon datat dhe kalendarin që do të ndiqet në muajin gusht, ndërsa bën me dije se mbetet vetëm zyrtarizimi për t’u bërë më 17 qershor, kur do të zhvillohet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv. Kështu një “Final 8” në Lisbonë do të jetë mënyra se si do të përfundojë ky kompeticion e Champions League.
Që nga data 12 gusht deri në 23, kur edhe finalja do të zërë vend, kryeqyteti portugez do të presë kompeticionin më prestigjoz për klube. Nga 12-15 gushti do të luhen çerek-finalet, ndërsa gjysmëfinalet do të zhvillohen më 18 dhe 19 gusht për të shkuar më pas te finalja e madhe në datën 23.
Sa i përket shortit për fazën çerekfinale, do të mbahet në mesin e korrikut në Nion, ku skuadrat do të mësojnë edhe kundërshtarët e radhës në rrugëtimin drejt finales. Gjithashtu zbulohet edhe koha se kur do të zhvillohet Superkupa e Europës. Budapesti do të jetë vendi që do të presë këtë duel, i cili do të luhet në 24 shtator./Halit Delibashi-Sport Ekspres/