Finalja e madhe, Deshamp e Daliç me më të mirët

0

Erdhi momenti kulmor i Kupës së Botës 2018, me finalen e papritur Francë-Kroaci. Në një Botëror plot surpriza, këto dy kombëtare kanë arritur të shfrytëzojnë në maksimum potencialin e madh që kanë, edhe pse në mënyra të ndryshme.

Franca ka bërë gjithçka si duhet, duke mos njohur humbje deri tani e duke fituar çdo ndeshje brenda 90 minutave pas grupeve, pa u lënë asgjë kundërshtarëve dhe pa pësuar gol në dy ndeshjet e fundit.

Në të kundërt, Kroacia pëson gol me lehtësi dhe pas grupeve ka pësuar gjithnjë gol e para, por forca dhe karakteri i kësaj skuadre ka dalë në pah në çdo takim, me reagim perfekt dhe triumf në shtesa apo penallti.

Në histori Kroacia nuk e ka mundur asnjëherë Francën, në 5 përballje, ndërsa në Botërorin ’98 Franca fitonte në gjysmëfinale ndaj Shuker me shokë dhe më pas fitonte trofeun.

Tani duket si një duel i dyfishtë, për Kupën e Botës dhe Topin e Artë, sepse Luka Modriç, Mbape e Grizman vijnë nga një Botëror spektakolar. Modriç është maratonomaku i Kupës së Botës, me 643 minuta futboll dhe 63 kilometra të përshkuar. Mbape një vit më parë transferohej te PSG për një shifër të pabesueshme, 180 milionë euro, por po tregon se vlen edhe më shumë se aq. Grizman ka shansin e jetës për të rregulluar vitin 2016: atë vit humbi finalen e Champions League me Atletikon dhe finalen e Euro 2016 kundër Portugalisë.

Lodhja mund të ndikojë shumë te Kroacia, që ka luajtur 100 minuta dhe ka vrapuar 117 kilometra më shumë se Franca.

Për sa u përket formacioneve të sotme, të dyja palët janë me ekipe të plota dhe konfirmohen titullarët e ndeshjeve të fundit. 

Do të luhet në Moskë, në Luzhniki Stadium, me kapacitet 78 mijë vende.

Rivaldo, braziliani legjendar kampion bote në vitin 2002, shkruan në Twitter: “Finalja e Botërorit, që ofron ndjesi që i njoh mirë, në të dy krahët. Kam provuar trishtimin e humbjes në finale, por edhe gëzimin e pamasë të triumfit”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.