Nga Klaudio Ndreca
“Nuk keni parë ende asgjë nga Ernest Muçi”, ky ishte paralajmërimi që dha Arbi Laçi për “Sport Ekspres” menjëherë pas mbylljes së takimit mes Tbilisit dhe Tiranës. E kur do të jetë koha më e mirë që të shohim të gjitha aftësitë e këtij talenti të madh? Sigurisht, koha nuk pret dhe ndaj Zvezdës duhet të bëj jehonën e madhe.
Edhe vetë drejtori i bardhebluve ka shumë besim për shfaqjen e vlerave ndaj kampionëve të Serbisë. Në një intervistë për “Zurnal”, Laçi ka treguar se për Tiranën kjo do të jetë një finale e cila është vetëm për t’u shijuar dhe për t’u fituar. Gjithashtu me një bindje të madhe se një ndeshje e këtij niveli kërkon Ernest Muçin që të marrë rolin e protagonistit në fushë dhe për të thënë fjalën e fundit.
“Vetëm një ndeshje futbolli po na pret, e fortë dhe e veçantë. Përballje të tilla meritojnë që të luajnë përballë tifozëve. Kur ti mbërrin në këtë nivel të “Champions League”, atëherë ekipe të forta të presin dhe ne jemi gati. I pëlqej këta rivalë të fortë. E respektojmë Zvezdën për rezultatet që ka arritur në gjithë këto vite në Europë, por e shohim këtë ndeshje si finale që duam vetëm ta shijojmë dhe fitojmë.
Dinamo Tbilis? Luajtëm ashtu siç dëshironim. I dinim kualitet e tyre dhe mënyrën sesi duhej të shënohej goli. Jemi të ndërgjegjshëm se ndoshta nuk zhvilluam një ndeshje shumë të bukur, e bëmë një sakrificë, por ishim të zgjuar për të marrë nga Tbilisi atë që donim. Tirana është një klub me histori të pasur, një shekullore. Ne gjithmonë luajmë për të fituar, nuk ka rëndësi kundërshtari. Unë besoj se ylli jonë 19-vjeçar, Ernest Muçi, do të bëjë diferencën në këtë ndeshje.
Sa i përket Dejan Stankoviç, e njoh si futbollist. Një emër i madh në futbollin e Serbisë. E kam ndjekur edhe si trajner në këto muaj të fundit. Meriton përgëzime sepse fitoi titullin e parë në karrierë. Por dua ta largojmë pak bisedën nga kundërshtari përpara ndeshjes. I’u thashë se e dimë se Zvezda është një ekip i mirë. Shumë vite më parë vinin lojtarë dhe trajnerë që punonin në Shqipëri. Ne nuk kemi asnjë problem me këtë, futbolli nuk do pashaport. Jetojmë në globalizim dhe le ta përdorim këtë ndeshje për të thyer barrierat”, u shpreh Laçi. /Sport Ekspres/