Presidenti i Nderit i Kukësit është i ftuar mbrmjen e sotme në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”. Safet Gjici ka folur gjatë rreth bojkotit të kampionatit si dhe për temën e merkatos. Presidenti i verilindorëve kërkon të fillojë futbolli në fushë, ndërsa sa i përket merkatos thekson se është bërë një punë e mirë dhe lë mënjanë fjalët e opinionit publik në momentin e largimeve në masë të lojtarëve.
“Nuk e di sa do zgjasë. Ato 4 kërkesa klubi i Kukësit i ka mbështetur, por jo bojkotin. Nëse ne kemi kërkuar ato kërkesa me ato përqindje, duhet të fillojnë negociatat dhe të ulemi në tavolinë. Normalisht duke nisur kampionati. Gjatë kësaj periudhe lojtarët paguhen, ku do gjenden ato para. Gjatë kohës mund të ulet edhe Liga apo faktorë të tjerë me qeverinë dhe të zgjidhet njëherë e mirë kjo punë. Në tavolinë zgjidhen gjërat, jo me bojkote të gjata. Të fillojë menjëherë kampionati sepse do rritet më tepër vështirësi. Lojtarët duan rrogat, pavarësisht se presidentët kanë hyrë në bojkot.
Ne jemi dakort për 4 kërkesat, por nuk kemi qenë në mbledhjen kur është vendosur bojkoti. Jemi kundër tij. Nuk është as strategji as zgjidhje, është më tepër dëmtim. Jam në kontakt me një pjesë të mirë të presidentëve. Shumë prej tyre duan të fillojë futbolli. Është edhe kërkesa e tifozëve, në fund të fundit futbolli bëhet për ta. Pa diskutim që të 4 kërkesat janë jetike për futbollin shqiptar. Liga nuk mund të mbahet nga këta president pafundësisht, por edhe qeveria kërkon ta formalizojë.
Disa klube të mëdha paguajnë shifra të larta për lojtarët. Disa të tjerë që duan që bojkoti të vazhdojë pafundësisht paguajnë nga 300 mijë lekë lojtarët. Duhet shmangur politika brenda Ligës. Politika të rrijë larg futbollit. Ka një fillim, ka edhe një fund. Po të fillojmë të luajmë futboll dhe të nisim negociatat besoj se do të kemi një zgjidhje në favor të futbollit shqiptar.
Para se të futesha në politikë kam qenë në futboll. Kurrë nuk e kam përdorur ekipin e futbollit për politikë dhe nuk kam ndërmend ta përdor. E kam dëgjuar Zoti Dukën që është kundër bojkotit. Por disa presidentë klubesh, që ndoshta kanë ardhur edhe tani në Superligë përdorin për të zgjidhur problemet e veta. Kush i merr përsipër pagesat e lojtarëve në fund të muajit? Ke edhe klubin e Vllaznisë, Partizanin, apo edhe Tiranën që pavarësisht se nuk dalin të flasin hapur janë kundër bojkotit. Po të mos jenë këta president nuk ka futboll në Shqipëri. Nëse dikush e merr përsipër të paguajë lojtarët le të rrimë bojkot 1 vit.
Opinioni bie pre pa mbaruar akoma merkato. Filluan të thonin u shkatërrua Kukësi etj. Kukësi nuk largoi lojtarë që do shkatërronin skuadrën, por ata që kërkonte trajneri për t’i dhënë një moshë më të re. E thashë se nuk keni parë gjë akoma dhe me blerjet e fundit besoj e patë.
Obanor? Ndoshta ne s’na vlente. Stafi teknik e ka menduar ndoshta edhe nga kërkesat e mëdha që ka pasur lojtari. Mendoj se Gega dhe stafi kanë bërë një merkato të mirë për sezonin. Me sa kam informacion ndoshta edhe ndonjë mund të vijë. Nuk do thoja bujë po fusha do tregojë gjithcka.
Projektin e kemi cdo vit. Të fillojë njëherë kampionati se edhe klube të tjera kanë bërë blerje të mira. Ka skuadra që janë forcuar shumë. Me këto blerje them se trajneri Gega ekipin e ka, tani mbeten rezultatet. Ju e keni shkarkuar nja dy herë Nexhipin. E dëgjova nga mediat që kemi shkarkuar Nexhipin. Por ai vazhdonte fuqishëm dhe bëri ato blerje që i pamë. Realisht ne mendonim se kishim një ekip shumë të mirë sezonin që kaloi, por disa lojtarë super të paguar nuk kanë dhënë atë që ne prisnim. Nuk dua t’i përmend me emra se nuk janë pjesë e Kukësit. Klubi ka shpenzuar shumë para për ta dhe nuk ka marrë as 20%. Klubi i Kukësit nuk duhet të shikojë tani vetëm për të blere, por edhe të shesi. ”, ka deklaruar Safet Gjici./Halit Delibashi-Sport Ekspres/