Fillojnë eliminatoret e kampionatit europian për Shqipërinë, Ervin Bulku veçon punën e ekipeve zinxhire

Stafi teknik i Kombëtares U-17 ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nga 4 të tilla të programuar për muajin gusht në kuadër të përgatitjeve për miqësoret ndaj Maqedonisë së Veriu dhe eliminatoret e Kampionatit Europian U-17.

Trajneri Ervin Bulku ka planifikuar që të zhvillojë katër seanca stërvitore, si edhe ndeshje testuese në datat 10, 17, 24 dhe 31 gusht, me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar kryesisht, por edhe me futbollistë shqiptarë që luajnë jashtë vendit.

Për teknikun kuqezi, synimi i këtyre seancave është stërvitja me lojtarë që aktivizohen me klubet shqiptare, për të vëzhguar nga afër gjendjen e tyre dhe për të parë nëse kanë pasur rritje nga hera e fundit kur ekipi është grumbulluar.

“Duke parë që një periudhë dymujore pa i ndjekur lojtarët për shkak se ka qenë një periudhë pushimi, hera e fundit që ne jemi mbledhur ka qenë ndeshja miqësore kundër       Kosovës në Kukës dhe për këtë arsye organizuam këtë seancë stërvitore për të parë sa më mirë këtë grup-moshë dhe të shikojmë çfarë gjendje kanë për momentin. Të mos harrojmë se shumë shpejt do të kemi ndeshjet miqësore me Maqedoninë e Veriut dhe më pas ndeshjet zyrtare për eliminatoret e Europianit të moshës U-17”, thotë Bulku duke folur për Fshf.org.

Trajneri thekson se grupi për Europianit është pak a shumë i konsoliduar, por dera është e hapur për elementë të rinj që do të vërtetojnë se e meritojnë fanellën e Kombëtares U-17

“E kemi thënë gjithmonë që të gjitha grup-moshat monitorohen vazhdimisht nga të gjitha stafet e ekipeve Kombëtare, nga U-15, U-16, U-17, U-18 e U-19. Janë ky grup pak a shumë, por në asnjë moment ne nuk mund të themi se nuk do të ketë prurje të reja apo lojtarë që nuk do të bëjnë pjesë. Kjo varet nga gjendja që do të tregojnë të gjithë lojtarët në vazhdimësi. Kjo grup-moshë është në një fazë zhvillimi të vazhdueshëm dhe çdo 2-3 apo 6 muaj ka ndryshim në listat e këtyre grup-moshave për vetë specifikën që ka brezi, pasi ndryshojnë në cilësi dhe vlerat e tyre në çdo periudhë”, – shton ai.

Gjithashtu, Bulku shprehet se duke evidentuar gjendjen aktuale të futbollistëve vendas, stafi do të ketë mundësinë të shohë gjërat që duhen përmirësuar dhe të punojë me ushtrime fizike dhe taktike.

“Padyshim testimet do të vazhdojnë gjatë gjithë kohës, por pak a shumë grupi tashmë dihet, mund të them që rreth 80% e grupit janë bashkë prej më shumë se 1 viti e që ndiqet nga ne dhe stafet e ekipeve kombëtare. Është thuajse po i njëjti grup që ka qenë edhe me Kombëtaren U-15 dhe U-16. Është një proces që vazhdon nga mosha më e vogël dhe deri në momentin që shkojmë në moshën 21 vjeç e pastaj për të parë ata lojtarë që do të kenë ecuri të mirë për të shkuar më lart në Kombëtaren A”, – deklaroi Bulku.

Ekipi kombëtar U-17 po përgatitet për turneun zyrtar në Kroaci, ku do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë shortuar në të njëjtin grup me Kroacinë, Uellsin e Suedinë. Kombëtarja U-17 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore, teksa ka zyrtarizuar edhe dy të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut në muajin shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *