Emisioni “Koha Shtesë” vjen me një tjetër super intervistë dhe rrëfime të pazbuluara deri tani për disa lojtarë shqiptarë. Të gjitha këto i ka thënë ish-presidenti i Ferizajt, Heset Quza. Fillimisht Heset e nis rrëfimin e tij me një detaj vërtet interesant për të treguar ndryshimin e madh të shqiptarëve në futboll nga koha e atërheshme, në këtë aktualen. (Videon e plot të intervistës e gjeni më poshtë)
“Përpara disa viteve, më kujtohet një intervistë në Koha Ditore. Shfrytëzoj rastin të them që në Kosovë nuk ka gazeta sportive të shkruara më, ka vetëm ëebsite, është e tmerrshme. Atëherë ishte një shkrim gati dy faqe, për një shqiptar të Kosovës, që punonte në një lavazho në Londër, afër Stamford Bridge. Dhe i gjithë shkrimi ishte sesi ai ia pastronte makinën John Terry, Drogba, se Mourinho i besonte shumë dhe i linte edhe çelësat e makinës. Nuk dua të keqkuptohem, e vlerësoj shumë atë personin dhe uroj që sa më mbarë t’i shkoj, por dua të kujtoj vetëm ku kemi qenë, krenoheshim me gjëra të tilla atëherë dhe tani kemi lojtarin tonë te Chelsea, Armando Brojën, kemi lojtarin tonë te Napoli, Amir Rrahmanin etj. Ishin dy faqe interviste të atij djali që i takonte yjet e Chelsea atëherë çdo ditë dhe ata kishin besim që ia linin makinën të lahej”, tha Quza.
Nga ana tjetër, Nedim Bajrami kishte një amanet nga gjyshi që të luante për Shqipërinë. Pasi la moshat e Zvicrës dhe zgjodhi kuqezinjtë, ish-presidenti i Ferizajt na zbulon edhe një detaj rrënqethës. “Mesa di unë, Nedim Bajrami ka marrë bluzën e Shqipërisë në fillim, ka shkuar te varri i gjyshit dhe ka thënë: “Do të luaj për Shqipërinë”. E kam dëgjuar nga të tjerët dhe kjo ma ka bërë mishin kokrra siç thoni ju në Shqipëri”, tha Quza.
“Kam edhe një histori të veçantë me Amir Rrahmanin. Në shtëpi nuk flas dot fare unë për futboll se djali im që tani është 18-vjeç më thotë: “Mjaft fole, e ke treguar sesa e njeh futbollin me Amir Rrahmanin”. Ka qenë një histori shumë e bukur, jam bërë pishman që ia kam treguar edhe djalit historinë. Kur isha kryetar i Ferizajt, nuk kishim kushtet e mira financiare, luftonim për ekzistencën tonë si qënie. Profesori Bylbyl Sokoli më thotë një ditë: “Më duhet një mbrojtës, më pëlqen Amir Rrahmani”. Nuk e kisha dëgjuar më parë, luante për Drenicën dhe ishte shumë i ri. Ramë në kontakt dhe u kërkua një shumë sot qesharake, 3000 euro për transferim dhe 600 euro për rrogën e tij mujore. Unë nuk kisha para për ta marrë dhe sot më vjen të qesh. Në atë kohë ato ishin kushtet, por duke parë sot se ku ka shkuar Rrahmani…
Broja? Nëse ka një lojtar në gjithë historinë tonë që ma kujton Fadil Vokrrin është Armando Broja. Vokrri, nëse do të luante në këto kohë, me këtë nivel arbitrimi që është tani, do të merrte të paktën 15 penallti në një ndeshje. Atë njeri e kanë rrahur në ndeshje, aq lojtar i fuqishëm ishte dhe kishte driblime shumë të mira. E vetmja gjë që më frikëson te Broja është Chelsea. Chelsea nuk ka respekt për lojtarët e dalë nga akademia, nga shkolla e tyre e futbollit. E ka treguar gjithmonë, nëse do të ishte Broja i dalë nga Arsenali, do të ishte ndryshe. Për mua Broja duhet të largohet nga aty se një ekip që ndryshon shumë pronarë, nuk mund të ketë trashëgimi apo rrënjë. Brojën nuk e respektojnë si duhet, përshembull edhe mënyra sesi luan Chelsea sot, nuk i përshtatet aspak Chelsea. Më dhimbset nëse vazhdon akoma aty
Zhegrova? E kam parë që kur ishte i vogël. Zakonisht trajnerët duan shumë kohë që t’i mësojnë fëmijët sesi të vrapojnë në majë të gishtave, Zhegrova ecte ashtu vet, e kishte natyrale. E zgjodhën si më të mirin në “Milan Junior Camp” që u zhvillua në Kosovë për një problem, se zakonisht bëhej në Shqipëri. Në stërvitjen e parë që ndodhi në kampin e Milanit dhe që Edoni ishte një vit më i ri se të tjerët, filloi ndeshja, Zhegrova e xhungloi topin dhe e dërgoi në qafë. Pastaj i kërrusur ashtu me topin në qafë, u nis drejt portës kundërshtare. Rivalët u shokuan, nuk dinin se çfarë të bënin, nëse ndërhynin me dorë ishe faull, nëse ndërhynin me këmbë ishte faull për ngritje take. Shkoi te porta, e uli topin dhe shënoi. Nëse një djal me ktë vetëbesim, në një kamp të madh si ai i Milanit në Kosovë, nuk kishte aspak frikë dhe presion”, tha Quza. /Sport Ekspres/