Fili e mbyll me Ramën, vendos takimi me Demin

Sulmuesi diskutoi me Drejtorin e Përgjithshëm dhe u gjet gjuha e përbashkët. Fati i tij vendoset sot pas bisedës me numrin një të klubit. Largimi shihet si “shpëtim”

Eraldo Harlicaj

Sulmuesi Realdo Fili është kthyer në çështjen më të nxehtë që kanë “demat” për momentin. Përplasja e tij me trajnerin Sulejman Starova ndikoi drejtpërdrejtë në aventurën me skuadrën e “demave”. Një rrugëtim që duket se i ka ardhur fundi, pasi sherri me trajnerin dhe mungesa e hapësirave bënë që lojtari të dëshirojë largimin në mbyllje të kësaj merkatoje dimri. Vendimi për “skarcimin” e 21-vjeçarit nuk është krejtësisht i papritur, pasi futbollisti kishte konkurrencë shumë të madhe në skuadër dhe fjalë kishte. Mënyra e zgji(e)dhjes nga ana e klubit të kuq nuk është më e mira e mundshme, pasi sulmuesi “u braktis” në mbyllje të merkatos së janarit. Dita e djeshme duhet të ishte vendimtare për Filin, por nuk rezultoi kështu, pasi vendimi final për të do të merret sot.

STËRVITJA – Sulmuesi u shfaq në stërvitjen e djeshme të Partizanit, por nuk iu bashkua grupit. Ai ndoqi seancën stërvitore i veshur civil. 21-vjeçari qëndroi me një nga zyrtarët e klubit të kuq gjatë gjithë kohës. Fili u takua edhe me Drejtorin e Përgjithshëm, Olsi Rama, i cili ishte prezent në Kamzë. Starova? Asnjë komunikim me të, as kryqëzim shikimesh. Ndonjë “sharje” në mendje, apo nëpër dhëmbë, por asgjë më shumë se kaq. Marrëdhëniet mes tyre janë krejtësisht të ngrira. Pas mbarimit të seancës stërvitore, futbollisti diskutoi me Ramën.

TAKIMI ME RAMËN – Fili foli hapur me Drejtorin e Përgjithshëm, Olsi Rama, për situatën e tij. 21-vjeçari i shprehu zyrtarit të kuq se pranonte vendimin e klubit, pasi nuk sheh mundësi aktivizimi dhe kërkon largimin. Fili i komunikoi Ramës se nuk do që të huazohet në ndonjë ekip tjetër, por dëshiron të tërheqë letrat dhe të dalë përfundimisht si lojtar i lirë. Palët janë dakord me këtë vendim, por mbetet edhe miratimi i fundit nga Gaz Demi. Presidenti është ai që do të vendosë.

TAKIMI ME DEMIN – Bisedimet me presidentin Gaz Demi u lanë për t’u diskutuar dje, por diçka e tillë nuk ndodhi. Fili u lajmërua se do të kishte një takim me numrin një të “demave” pasditen e djeshme, por angazhimet e këtij të fundit shtynë takimin. Bisedimet për të ardhmen e 21-vjeçarit, mes tij dhe Demit, do të zhvillohet paraditen e sotme. Aty do të vendoset përfundimisht nëse futbollisti do të qëndrojë me të kuqtë, apo do të largohet.

MUNDËSIA DHE OFERTAT – Në kushtet që futbollisti nuk gjen hapësira te skuadra e Partizanit, presidenti Gaz Demi me shumë mundësi nuk do ta pengojë të riun të largohet. Numri një i klubit është treguar bujarë me shumë futbollistë dhe diçka të tillë mund ta bëjë edhe me Filin. 21-vjeçari nuk do të ketë problem të gjejë klubin e ri, pasi dy ekipe po e presin me krahëhapur. Luftëtari dhe Teuta duan të sigurojnë shërbimet e Filit. Afrimi i tij me ndonjërin nga këta klube është thuajse i sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online