FIFA vendos për finalistët e çmimit “Lojtari më i mirë“, “i çmenduri“ Bielsa surpizon në garën për trajnerin më të mirë

FIFA do të mbajë ceremoninë për ndarjen e çmimit “Lojtari më i mirë” për vitin 2020 më datën 17 dhjetor, ndërsa ditën e sotme ka shpallur edhe 3 finalistët pretendentë për të rrëmbyer këtë vlerësim. Padyshim nuk mundgon dyshja Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, që këtë herë do të kenë një konkurencë të fortë nga Robert Levandovski. Polaku ka qenë i jashtëzakonshëm sezonin e shkuar me golat e shumtë që mbanin firmën e tij, me të cilët ndihmoi Bajernin e Mynihut të fitonte tripletën, teksa u shpall kampion i Bundesligës, ngriti lart trofeun e Kupës së Gjermanisë dhe atë të Champions League. Të gjitha këto e bëjnë Levandovskin pretendentin kryesor për të marrë çmimin e FIFA-s.

Ndërkohë, krahas çmimit “Lojtari më i mirë“ do të ndahet edhe ai për “Trajnerin më të mirë”, ku kandidatë janë Jurgen Klop, Hansi Flik dhe “i çmenduri” Marcelo Bielsa. Ky i fundit sezonin e shkuar gjendej në Championship me Lidsin e tij, të cilin ia doli ta ngjiste në Premier League pas 16 vitesh. Madje duke suprprizuar edhe disa nga klubet më të mëdha angleze në ndeshjet e para të këtij sezoni me rezultatet në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *