Shqipëria është duke luajtur në Ligën e Kombeve, teksa ndodhet në League B në të njëjtin grup me Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Cekinë. Tashmë dihet që Liga e Kombeve ka hyrë në vendin e ndeshjeve miqësore, por për të pasur një vlerë disi më të madhe se takimet miqësore, UEFA vendosi që disa bileta për në Europian apo në Botëror të shpërndaheshin edhe prej nga Liga e Kombeve.
Një formulë e komplikuar, por që për t’ua thjeshtësuar më shumë, mjafton të përmendim faktin se nëse Shqipëria fiton grupin e saj në Ligën e Kombeve, duhet të fitojë duelet direkte me fazë eleminimi edhe me 4 kundërshtarë të tjerë për të marrë biletën e Botërorit. Madje njëri prej këtyre kundërshtarëve, me shumë mundësi do të jetë Anglia dhe Shqipëria duhet të kalojë për të mbërritur në Botëror. Pra një formulë shumë e ngatërrueshme dhe “e pamundur”.
Për të dalë në rrugën kryesore sesi ne mund të mbërrijmë në Botëror, nga kualifikueset e Botërorit. Shorti do të hidhet në dhjetorin e këtij viti, por FIFA ka ndryshuar rregullat pak para hedhjes së shortit.
Në fakt, këto rregulla të cilat kanë si qëllim kryesor të mbrojnë Kombëtaret e mëdha, i vijnë në favor Shqipërisë dhe arsyen do ta shpjegojmë më poshtë. Kështu FIFA ka vendosur që në vazon e parë të jenë 12 Kombëtaret më të forta, ku në të përfshihen 8 më të mirat e Ligës A në Ligën e Kombeve.
Siç dihet, në Ligën A gjenden Kombëtaret më të forta, ndërsa në Ligën B ndodhet vetëm Anglia. 2 vendet e para në 4 grupet e Ligës A do të shkojnë në vazon e parë, por për të shmangur ndonjë surprizë të keqe dhe për të futur Anglinë në vazon kryesore, ka menduar sërish FIFA teksa 4 Kombëtaret e mbetura që do t’i bashkangjiten vazos së parë do të jenë ato që renditen më lartë në ranglistën e FIFA-s.
Me këtë rregull, FIFA siguron edhe Anglinë në vazon e parë, por edhe ndonjë Kombëtare tjetër të madhe që mund të dështojë në Ligën e Kombeve në Ligën A. Por përse ky rregull i shkon në favor Shqipërisë? E thjeshtë, sepse nuk do të ndodhin histori kualifikuese që ti i luan formalisht si ndodhi në 2017 kur ne gjendeshim në një grup me Spanjën dhe Italinë, teksa vendi i parë kalon automatikisht në Botëror ndërsa më vendin e dytë, duhet të kalosh edhe 2 kundërshtarë të tjerë për të shkuar në Botëror.
Fillimisht duhet të theksojmë se Shqipëria ndodhet në vazon e tretë. Ndërkohë në vazon e dytë nuk ka asnjë Kombëtare të madhe apo kundërshtar të pakalueshëm për Shqipërinë. Polonia, Hungaria, Serbia, Ukraina, Turqia, Uellsi, Suedia, Sllovakia, Rumania, Greqia, Cekia dhe Norvegjia janë kundërshtarët e mundshëm që ne mund të kapim nga vazo e dytë deri tani, pasi mund të ketë ndodnjë ndryshim të vogël, por e sigurt është se në të nuk do të ketë asnjë Kombëtare të madhe.
Pra duke marrë për bazë se do të bëjmë detyrën ndaj Kombëtareve më të vogla që ndodhen poshtë nesh në vazo, duhet të kalojmë një nga këto rivalë të sipëpërmendur për të marrë vendin e dytë, që të luajmë deri në fund shansin e Botërorit, ku duhet të kalojmë edhe dy rivalë të tjerë. Ndërkohë në vazon kryesore ndodhen emrat më të mëdha, megjithëse me pak fat, aty mund të kapim Danimarkën, Austrinë, Zvicrën dhe Kroacinë, për ta bërë disi më të barabartë ekuilibrin, ndryshe nga emrat e tjerë të mundshëm si Franca, Spanja dhe Anglia që na presin. /Sport Ekspres/