Ferrari ka mbyllur në mënyrë perfekte një fundjavë të shkëlqyer për automobilizmin, duke triumfuar në Silverston, pistë që dukej pronë e Mercedesit.
Sebastian Fetel zhvilloi një garë madhështore, duke triumfuar pas një dueli pa fund me pilotët e Mercedesit, Ljuis Hamilton e Valteri Botas.
Në Angli Ferrari nuk kishte parë shumë ditë të bardha në dekadën e fundit dhe Hamilton kërkonte triumfin e pestë rresht në shtëpi, por Fetel u tregua perfekt, duke përfituar nga problemet që Hamilton pati në fillim të garës, kur u përfshi në një aksident (e goditi nga pas Raikonen që në fillim) dhe u mendua edhe tërheqja, pas zbritjes në vendin e 18-të dhe një difekti. Megjithatë, pak nga pak britaniku u ngjit drejt kreut, ndërsa Fetel pati një duel të egër me Botas, duke e mundur finlandezin në fund.
Fetel i pari në finish, Hamilton i dyti dhe ferraristi Raikonen i treti, me Botas që zbriti në vendin e katërt në xhirot finale.
Në renditjen e përgjithshme për pilotë kryesuesi Fetel shkëputet disi nga Hamilton, tashmë 8 pikë larg, ndërsa në renditjen e skuderive Ferrari shkon +20 nga Mercedesi.