E habitshme por e vërtetë, Federata Shqiptare e Futbollit ka ardhur me një ofertë vetëm 2 orë para ndeshjes së Kombëtares. Pak minuta më parë FSHF ka njoftuar në faqen zyrtare se nëse blini një biletë tani do të merrni dhe një tjetër falas.
Një politikë jo e zakontë, aq më tepër që vjen vetëm pak minuta para ndeshjes. Do të jetë e vështirë edhe për tifozët që në kaq pak kohë të joshen dhe të udhëtojnë drejt Elbasanit.
FSHF me sa duket dëshiron që ta mbushë stadiumin për ndeshjen me Izraelin, por interesimi i mbështetësve kuqezi nuk është në nivelet që pritej, ndoshta dhe për shkak të rezultateve të fundit që ka arritur përfaqësuesja në dy miqësoret e fundit.