Edhe pse vaksinimi i popullsisë në botë është duke ecur me ritme të shpejta, efektet e pandemisë Covid-19 vazhdojnë të mbeten aktive. Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që personat qe vijnë nga jashtë vendit të karantinohen për 10-ditë, në mënyrë që virusi të mos përhapet. Megjithatë federata angleze ka kërkuar nga qeveria që të bëjë përjashtim për dy skuadrat që do të përballen në Champions League, Chelsea dhe Manchester City.
Sipas gazetarit Matt Hughes të “MailSport”, Federata angleze po bën lobim në Qeverinë britanike që të bëjë një përjashtim lidhur me këtë gjë. Ky sezon ka qenë mjaft i ngjeshur për skuadrat angleze, të cilat kanë luajtur pothuajse 3 herë në javë, çka ka sjellë lodhje tek të dyja skuadrat. Drejtuesit e federatës duan t’i bëjnë një nder skuadrave që kanë ngritur lart futbollin anglez. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/