Kristjan Asllani erdhi me bujë të madhe te Interi, ku fjalë të mëdha do ta shoqëronin nga anëtarë të klubit dhe specialistë të sportit. Por, pavarësisht elozheve që i ka thurur përgjatë verës, Inzagi i ka dhënë jo më shumë 30 minuta lojë në total në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon. Trajneri i zikaltërve ka preferuar emra të tjerë në mesfushë, duke mos i dhënë hapësirën e duhur 20-vjeçarit.
Por atë që nuk e bëri me dëshirën e tij, tashmë Inzagi është i detyruar ta kryejë nga mungesat. Pas dëmtimit të Calhanoglusë, trajneri i Interit ka humbur edhe të preferuarin e tij në mesin e fushës, Brozoviçin. Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë ditën e sotme në sfidën kundër Udinezes dhe humb kështu shansin për të qenë në urdhërat e Simone Inzagit për duelin e rëdësishëm kundër Romës.
Fati punon për Asllanin, pasi tashmë justifikimet për të mos i dhënë minuta kanë mbaruar. Mesfushori shqiptar u soll në Milano me një detyrë të vetme, të jetë zëvendësuesi i Brozoviçit. Me kroatin të padisponueshëm për ndeshjen e radhës, është pikërisht Asllani ai që duhet ta nisë përballjen me Romën nga minuta e parë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/