Kukësi ende nuk i ka humbur shpresat për titull kampion. Gjithçka u ndez sërish pas asaj fitoreje kundër Tiranës, ndërsa këta të fundit i pret një tjetër ndeshje e vështirë siç është derbi me Partizanin. Nderim Nexhipi beson se “të kuqtë“ mund marrin 3 pikët ndaj bardhebluve, gjë që do i shkonte edhe si dhuratë Kukësit.
Në një prononcim për “RTSH Sport“, drejtori sportiv i skuadrës verilindore theskon faktin se kanë qenë të “dënuar“ këtë vit për shkak se u është dashur të luajnë larg shtëpisë së tyre. Në rast se ndeshjet si pritës do të luheshin në Kukës, atëherë Nexhipi është i bindur se Kukësi do të ishte në krye të tabelës e jo Tirana.
“Kemi pasur disa momente ku nuk na ka shkuar aq mirë, edhe pse e them që ekipi, duke marrë parasysh që të gjitha ndeshjet i kemi bërë jashtë Kukësit, ka bërë një performancë të mirë. Kanë qenë diferenca të vogla në momente kyçe këtë kampionat ku jemi ndëshkaiur në minutat e fundit duke humbur pikë. Këto pikë kanë ndikuar të mos jemi aty ku është Tirana. Sidoqoftë unë mendoj dhe e them me shumë bindje se fati i këtyre ekipeve kundërshtare është vetëm në gjë, Kukësi nuk luan në Kukës, se po të luante aty gjërat do të ishin ndryshe.
Ndeshja me Tiranën ishte për prestigj, sepse kemi arritur këtë sezon t’i mposhtim 3 herë. Një herë që jemi mposhtur në “Air Albania“ ka qenë pas kartonit të kuq dhe në minutat e fundit të ndeshjes. Unë personalisht me ekipin dhe grupin që kemi nuk i ndruhem ndonjë ekipi në Superiore. E vetmja gjë pse Kukësi nuk arriti të shpallet kampion këtë vit është mungesa e tifozëve dhe luajtja e ndeshjeve jashtë Kukësit. Po t’i luanim ndeshjet në Kukës, padyshim se me kualitetin që kemi dhe me këtë grup që kemi do të ishim në vendin e parë.
Derbi? Të 3 rezultatet janë në lojë. Në vitet e fundit Partizani e ka dominuar derbin me Tiranën dhe nuk është asnjë çudi të fitojnë. Unë pres që ata nesër të marrin 3 pikëshin e radhës dhe t’i kthehen fitoreve në derbi. Kështu që ndoshta do na bënin edhe ne një favor, pastaj me 3 pikë diferencë deri në ndeshjen e fundit çdo gjë mund të ndodhë në futboll”, ka deklaruar Nderim Nexhipi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/