Pak orë përpara derbit Tirana prezanton goditjen e madhe në merkato, Tim Vayrynen. Përkrahë finlandezit në konferencë për shtyp ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv, Tefik Osmani, i cili merr meritat e këtij transferimi. Puna në këtë rol të ri te bardheblutë ka nisur në mënyrë të jashtëzakonshme për ish-futbollistin, që afrimet e para ka dy emra si Seferi dhe Vayrynen.
Osmani e konsideron veten me fat për këto dy transferime, ndërsa zbulon se sulmuesi finlandez ka pasur oferta edhe nga Serie A, por në fund zgjodhi kampionët e Shqipërisë. Sa i përket Muçit apo lojtarëve të tjerë që kanë interes nga klubet e huaja, drejtori sportiv i bardhebluve thekson se do të shiten nëse vjen oferta e duhur në tavolinën e presidentit Halili.
“Është fat nganjëherë që e nis punën si drejtor me dy lojtarë shumë të mirë si Taulant Seferi dhe Vayrynen. Në gjithë historinë e Tiranës, siç janë tifozët dhe siç e kërkon vetë klubi duhet të futesh gjithmonë për të fituar dhe për ta bërë këtë duhet të sulmosh. Tirana nuk dorëzohet asnjëherë, do e vazhdojë luftën deri në fund. E kam falënderuar presidentin Halili, ai po bën një sakrificë shumë të madhe. E kam thënë edhe në një studio televizive, po të ishte një klub tjetër mbase do ndryshonte objektiv.
Kemi bërë një pagesë, që hapëm merkaton, kemi bërë edhe dy afrime me kosto të lartë. Është gjë e mirë, që jo vetëm Muçi, por edhe lojtarë të tjerë kanë oferta. Do shikojmë nëse vjen ofrta e duhur, sepse presidenti nuk kënaqet me oferta që dalin në gazeta. Kur ai të kënaqet do largohet, por në këto momente nuk mendoj se do lëvizë njeri.
Tirana gjithmonë ka marrë më të mirët e kampionatit. Në janar është e vështirë të marrësh lojtarë brenda kampionatit sepse janë në kontrata. Megjithatë jemi njësoj, kemi marrë dy nga lojtarët më të mirë në merkato, që kanë pasur edhe oferta të tjera dhe i falënderoj që zgjodhën Tiranën. Tim nuk ka qenë vetëm te lista e Shkëndijes, ka pasur edhe interesa nga Serie A dhe B, prandaj e falënderoj që ka zgjedhur klubin më të mirë në Shqipëri, Tiranën”, është shprehur Tefik Osmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/