Bajerni luajti, zotëroi topin, krijoi raste dhe shënoi i pari. Po si ka mundësi që u mund 2-1 nga Reali?
Dikush fajëson arbitrin: të paktën një penallti në favor të Levandovskit duhej ta jepte dhe është e pakuptimtë kjo frikë për të fishkëllyer kundër Realit që në minutat e para, fundja Juventusit iu dha penallti kundër në Madrid në minutën e 93-të për një faull identik si ata të djeshmit, të Karvahalit ndaj Levandovskit.
Penalti de Carvajal a Lewandowski no señalado, min 1. #BayernRealMadrid pic.twitter.com/YluUi6hJWp
— Zona_Blaugrana (@Zona_Blaugrana) April 25, 2018
Otro penalti de Carvajal a Lewandowski no señalado, min 46. #BayernRealMadrid #BayernMadrid pic.twitter.com/3dY1cJr6nB
— Zona_Blaugrana (@Zona_Blaugrana) April 25, 2018
Ka nga ata që fajësojnë fatin, pasi të krijosh aq shumë raste ndaj Realit e të shënosh aq pak, duhet të jesh vërtet i mallkuar, duke parë që në sulm janë lojtarë të klasit botëror, të mësuar më ndeshje vendimtare. Nga ana tjetër, Zinedin Zidan duket i bekuar, sepse në Champions i ecën gjithnjë mbarë, në çdo situatë.
Mungesat janë një tjetër faktor madhor: Nojer, Vidal e Alaba janë lojtarë tepër të rëndësishëm për çdo ekip, imagjinoni të detyrohesh të ndryshosh formacion sërish gjatë ndeshjes, sepse Roben, Boateng dhe Martinez u dëmtuan.
Meqë jemi te dëmtimet: a është thjesht fat i keq? Bajerni stërvitet në Bundesligë për të qenë gati për ndeshjet e mëdha në pranverë, si ka mundësi gjysmë skuadre përfundon në spital? Kur ishte Guardiola, e kryqëzuan për dëmtimet e shumta, por tani nuk flet askush.
Në fund, Bajerni po paguan shtrenjtë edhe frikën për ndryshim dhe rinovim. Klubi bavarez bën mirë që nuk futet në garën absurde të merkatos në shifra mbi 100 milionë euro edhe për futbollistë normalë, por nëse vijon të mbështetesh verbërisht te Roben e Riberi, të cilët kanë vite që fizikisht nuk mbajnë më, është e qartë që do ndodhin situata të tilla si e djeshmja. Afrimi i trajnerit të ri Niko Kovaç duket bast i guximshëm, por Bajerni duhet të guxojë më shumë edhe me lojtarët, në vend që t’u rinovojë kontratat pa fund.