Partizani do të luajë ndeshjen e kthimit kundër Bate Borisovit më 18 korrik, duke nisur nga ora 20:00. Ballafaqimi i parë mes tyre përfundoi me shifra të barabarta 1-1 dhe kualifikimi do të vendoset javën e ardhshme. Klubi kryeqytetas njofton përmes faqes zyrtare në “Facebook” se Amfiteatri i Universitetit të Arteve do të jetë vendi që do të bëjë bashkë të gjithë tifozët e “demave të kuq”. Një “Fan Zone” i dedikuar posaçërisht për tifozerinë e kampionëve të Shqipërisë. Ndërkohë, përballja do të transmetohet pa pagesë edhe në ekranin e “MCN TV”-së.
“Klubi Partizani ju fton të ndiqni skuadrën e zemrës në Fun Zone-in e krijuar posaçërisht për tifozerinë e kuqe. Amfiteatri i Universitetit të Arteve pranë sheshit “Nënë Tereza”, do të jetë vendi i rezervuar për ju për të ndjekur dhe mbështetur “Demat e Kuq” në ndeshjen e kthimit Bate Borisov – Partizani e vlefshme për raundin e parë të Ligës së Kampioneve e cila do të transmetohet LIVE në kanalin MCN TV. Të martën datë 18 korrik, ora 20:00 ju presim të shijojmë një tjetër mbrëmje kampionësh”, ka njoftuar klubi Partizani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/