Shqipëria do të përballet kundër Bullgarisë në miqësore pas fitores me Çekinë në shifrat 3-0. Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe mesfushori i Sparta Prague, Qazim Laçi.
“Bullgaria nuk është një ndeshje miqësore, për ne që kemi qëndruar në stol është si zyrtare. Duhet të tregojmë vlerat tona, Silvinjo është një trajner shumë i mirë. Ai punon me ne dhe na tregon se ku duhet të përmirësohemi. Fola pak me shokët e ekipit që luajnë te Çekia, më erdhi keq për ta, uroj të kualifikohen edhe ata”, tha Laçi.
Nga krahu tjetër, Ernest Muçi tregoi bisedën me Silvinjon pas dy golave të shënuara kundër Aston Vilës. “Po, Silvinjo erdhi dhe më takoi. Më përgëzoi dhe më tregoi se ku duhet të përmirësohem. Ai më ndihmon të jem lojtar më i mirë në ekip dhe Kombëtare. Jemi shumë afër Europianit tani. Më kanë shkruar edhe shokët e ekipit te Legia. Më thanë:” Faleminderit që na ndihmuat”, pasi ne mundëm Çekinë”, tha Muçi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/