Nga De Biasi te Sylvinho, suksesi kuqezi ka “baballarët” e vet më meritorë

Nga prof. dr. Xhevdet ZEKAJ

Pas epokës së De Biasit, kur shkuam në finalet e “Euro 2016”, për herë të parë në historinë tonë si kombëtare, tani është Sylvinho, strategu që me gjasë do ta përsërisë historinë.

Me të drejtë, në këto kushte komoditeti për kuqezinjtë, ka nga ana që heqin pararele mes suksesit të italianit dhe brazilianit. Duhet pranuar se në të dyja rastet, grupi i lojtarëve të kombëtares ka qenë cilësor.  ( Përtej së shkuarës sime me Ganiun, ai do ngelet përjetë mik i mirë, profesionist dhe shqiptar)

Ndoshta në rastin e De Biasit, më 2016, ishte një brez në kulmin e pjekurisë, madje në perëndim të karrierës, ndërsa tani kemi një ndërthurje solide të të rinjve plot talent dhe energji me veteranët e sprovuar, që kanë shijuar edhe Europianin e Francës. Kemi parasysh këtu portierin Berisha apo Arlind Ajetin, që e zëvendësoi më së miri Ismajlin ndaj Çekisë, apo dhe Veselin.

Nëse ka një emërues të përbashkët më meritor se asgjë tjetër në të dyja këto suksese (po e marrim të mirëqenë kualifikimin në “Euro 2024”, duke llogaritur se në dy ndeshjet e fundit do t’i marrim patjetër 3 pikë) është presidenti Armand Duka.

Më 2016, madje, ka pasur shumë që e kanë thënë me bindje të plotë se në Europian na kualifikoi Duka, me fitoren ndaj Serbisë në tavolinë, me CAS-in e Lozanës që vendosi drejtësi për atë që ndodhi në Beograd.

E meqë jemi tek ajo sfidë e frikshme në kryeqytetin serb, që u ndërpre pa mbaruar ende pjesa e parë, një tjetër personazh ka merita për kualifikimin në “Euro 2016”. Ai është Ballist Morina, me dronin që ngriti dhe provokoi zhvillimet e mëvonshme, të barabarta me tri pikët në tavolinë. Pra, vështirë t’i kishim fituar ato pikë në fushën e lojës, në atë atmosferë tejet armiqësore të krijuar në Beograd ndaj kuqezinjve dhe përse po luanim si të barabartë pjesën e parë.

Pastaj, ndeshja e fundit ndaj Armenisë është një histori më vete, të cilën gjithsekush mund ta gjykojë vetë nëse fituam falë taktikave të De Biasit apo ndonjë “force madhore” përtej atij…  Por djemtë e Lorik Canës dhe Duka, De Biazi deri tek Tosi idhin bashkë për të gitiar.

Por, në këtë drejtim, shkuarja në finalet e Europianit të Francës mund të ketë disa “baballarë”, ndërsa kësaj here e kemi fituar gjithçka me topin në këmbë, në fushën e lojës tani jemi të mrekullueshëm me kostumin e zv/presidentit të UEFA-s që ka bëtë një punë kolosale.

Pra shkojmë në Gjermani pa dron, pa lobim të presidentit Duka, pa pikë në tavolinë. Dhe nëse ka diçka që e pranojnë të gjithë në unison është mrekullia që po bën Sylvinho me stafin e tij. Kësisoji, ky sukses është “made in Brazil+Argjentinë”, më së pari. Sepse në një kohë rekord, stafi që pasoi Edy Rejën dhe iu dha fund eksperiencave italiane në stolin tonë të kombëtares, e bëri thuajse të pamposhtur kombëtaren shqiptare falë profesionalizmit e komunikimit, qëndrimit në Shqipëri e bashkëpunimi i Silvinjos me çdo kapilar të FSHF-së.

Vetëm pak ditë pas emërimit, ne bëmë një ndeshje tejet të mirë në fushën e Polonisë. Mëkat që u mundëm 1-0, nisur nga loja që zhvilluam. Nuk meritonim të humbisnim! Më pas, humbja nuk figuron në këto eliminatore të kuqezinjve. Konfirmim i plotë i punës së shkëlqyer të Sylvinho dhe ndihmësve të tij. Pikërisht stafi amerikano-jugor konsolidoi një grup lojtarësh që e kishin humbur byusullën me Rejën në stol, bëri një zbulim senasacional si Jasir Asani, i cili me golat e tij ka “pjesën e luanit” në kualifikimin mëse të mundshëm në “Gjermania 2024”.

E meqë meritat për zbulimin e Asanit i takojnë Sylvinhos, po këtë të fundit kush na e solli? Presidenti Armand Duka, që me guxim besoi tek uria e brazilianit për t’u konfirmuar si trajner, edhe pse me një CV modeste në këtë drejtim. Dhe ka goditur në shenjë, sepse rezultatet e loja e kuqezinjve në këto eliminatore nuk janë aspak rastësi, as fat, por produkt i strategjisë së stafit teknik. Faleminderit Armand Duka!

Qëndrimi i këtij të fundit në Shqipëri, ndjekja me detaje e lojtarëve kudo që luajnë, takimi me to në vendet ku aktivizohen, është “qershia mbi tortë” e këtij bashkëpunimi mes FSHF-së dhe Sylvinhos me ndihmësit e tij. Pra, duhet pranuar qartë se Sylvinho, në fare pak kohë arriti atë që De Biasi e bëri për disa vite në stolin e kuqezinjve. Sepse i ka përveshur mirë mëngët, nuk vjen vetëm si turist, apo kur duhet të marrë rrogën e vetëm tri ditët e ndeshjeve në Shqipëri.

Ai rri këtu me ne, është bërë njëri prej nesh, ka kuptuar mentalitetin e shqiptarëve, ndaj edhe i ka “djegur etapat” në kohë rekord, për të na dhuruar kualifikimin e dytë historik në një Europian. Kaq efikas dhe produktiv, vështirë të ketë qenë një trajner tjetër kombëtareje, ndaj bashkë me festën e shkuarjes në “Euro 2024”, dy personat më meritorë, Duka dhe Sylvinho, duhet ta rinovojnë bashkëpunimin. Por me Silvinjon janë të gjithë në fshf jo vetëm Duka, Shulku, Nuri, por sektori i edukimit, të gjithë trajnerët e moshave, juristë, ekonomistë, specialistë, marketingu etj,etj.

Sepse kjo punë e nisur dhe e bitisur kaq shpejt me një sukses të jashtëzakonshëm ka nevojë për vazhdimësi. Djemtë kuqezinj, plot talent dhe energji, janë të uritur për suksese të tjera, po aq sa vetë trajneri i tyre. Prandaj, Sylvinhos ndoshta nuk kemi pse t’i japim pasaportë shqiptare, as diplomatike sikurse bëmë me regjizorin dhe mjedhrin e madh De Biasin më 2016, por rinovimin e kontratës e meriton plotësisht.

Periudha e konsideruar si provë për të jo vetëm është kaluar me sukses, por braziliani i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. E meqë oreksi vjen duke ngrënë, pas “Euro 2024” na pret një tjetër kompeticion, si Kupa e Botës, e cila me shtimin e kombëtareve finaliste në edicionin e vitit 2026, nuk ka pse të jetë “mollë e ndaluar” më edhe për ne.  Me Sylvinhon në stol, me Dukën në krye të vendit, dhe djemtë kuqezinj, që meritojnë fjalët më të mira, duhet të ëndërrojmë t’i kalojmë edhe kufijtë e kontinentit. Por të gjithë duhet të mos harrojmë kontributin e De Biasit, Rejës në stilin e vet dhe se kemi një president në kulmin e suksesit! Forca Shqipëria!  Mirëupafshim në Gjermani!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online