Fakiç: Të gjithë duan lojtarët tanë, Europa mban “peng” Latifin

Drejtori sportiv i Skënderbeut zbulon ekskluzivisht për “Sport Ekspres” të rejat e fundit në klub. Flet për Dinamon e Zagrebit dhe interesimin për lojtarët korçarë

Leonard Trebicka

Po ju them një sekret të Skënderbeut, sot kemi oferta për çdo lojtar të skuadrës. Por, nëse do të ndodhte që t’i shisnim të gjithë, kush do të luante? Unë dhe presidenti Takaj? Sa për Latifin, e përsëris se, nëse kalojmë në grupet e Europa League, ekziston një mundësi të qëndrojë. Nëse nuk kalojmë (gjë që nuk do të ndodhë) Latifi  nuk e fillon edicionin e ri në Shqipëri”, – ka thënë në intervistën e djeshme ekskluzivisht për “Sport Ekspres” drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç.

– Haris, pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e “play-off”-it të Europa League ndaj Dinamos së Zagrebit…

– Mendoj se është kohë e mjaftueshme. Na ka ndihmuar edhe java e pushimit për ndeshjet europiane dhe jemi munduar të rikuperojmë energjitë. Ndeshjen e fundit kaluam pas 120 minutash dhe ishte momenti më i mirë për Skënderbeun. Më 17 gusht do të jemi 100% gati.

– Si ju duket kundërshtari i Skënderbeut, sa e vështirë është të kaloni më tej?

– Dinamo e Zagrebit është favorite në letër, por jo aq e frikshme sa dy vite më parë, kur u përballëm në ndeshjet e “play-off”-it të Europa League. Një gjë pozitive është se e njohim kundërshtarin, ndërkohë që na ka buzëqeshur edhe fati në short, pasi mund të kishim përballë skuadra më të frikshme se Dinamo e Zagrebit. Po përgatitemi fort dhe e them me bindje se i kemi shanset tona këtë herë për të kaluar në grupet e Europa League.  

– Mund të na zbuloni diçka më shumë për kroatët, pasi ju e njihni më mirë këtë skuadër?

– Dinamo e Zagrebit është një shembull si duhet të punojë një skuadër, sidomos ato nga Ballkani. Ka politikën e prodhimit të futbollistëve më shumë se asnjë ekip tjetër në Ballkan dhe kjo është gjë e madhe. Është një ekip pa diskutim më përpara se ne, por jo çdo herë këto ekipe janë në momentet e tyre më të mira. Shpresoj të kemi momentin tonë në “play-off”. I kemi përparësitë tona dhe do t’i shfrytëzojmë në maksimum.  

– Sa shanse ka Skënderbeu të shkojë në grupet e Europa League?

– Shanset janë, sepse futbolli është një “shok” i ngushtë me fatin. Edhe skuadrat më të mira në botë kanë nevojë për pak fat, jo më ne. Nëse do ta kemi fatin me vete, jemi ne ata që do të kalojmë më tej.  

– Rrugë shumë e gjatë Europa League, ndërkohë që në Champions, me dy ndeshje siguronit grupet…

– Po, është e vërtet. Nëse do të ishim kampionë, do të ishim 100% sot në grupet e Europa League, pasi na duhej të kalonim vetëm dy kundërshtarë. Këtë e them, sepse do të na ndihmonte edhe shorti, për shkak të koeficientit të lartë. Kalimi i 3 tureve tregon qartë se jemi skuadra më e mirë shqiptare.  

– Sa i suksesshëm mund të quhet Skënderbeu deri tani?

– Kur flasim për suksesin, varet në çfarë këndi e shikon çdo njeri. Në Shqipëri, në 7 vitet e fundit jemi ekipi që po bën “ligjin” dhe këtë e pranojnë të gjithë. Kemi bërë shitje dhe do të bëjmë, jemi një ekip që duhet të merret shembull edhe jashtë kufijve. Për blerjet Skënderbeu është skuadër serioze, që investon për lojtarët e së ardhmes. Nuk jemi të kënaqur me kaq dhe do të vazhdojmë të punojmë. Jemi të angazhuar maksimalisht, në mënyrë që ta ngremë nivelin më lart.  

– Mund të na thoni pak si ju duket Ali Soue, i cili vjen te Skënderbeu si një përforcim i madh?

– Ali Soue është një përforcim me shumë vlera për Skënderbeun. Futbollisti nuk ishte rastësisht në Serinë A. Shpresoj se do të ambientohet sa më shpejt me ekipin dhe të na shërbejë shumë në të ardhmen.

– Po për Latifin, që thuhet se është shitur dhe se vlera e kartonit shkon në 1.5 milion euro, çfarë po bëhet konkretisht?

– Latifi është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne në këtë momente. Prandaj, duke e ditur politikën e Skënderbeut dhe fuqinë e klubit në drejtim të shitjes, Liridon Latifi është i shitur, por “peng” është vetëm momenti që po kalon skuadra. Nëse do të kalojmë në grupet e Europa League, ekziston një mundësi të qëndrojë. Nëse nuk kalojmë (gjë që nuk do të ndodhë), Latifi nuk e fillon edicionin e ri në Shqipëri.  

– Ka pasur interesim kohët e fundit për ndonjë futbollist tjetër, që ka spikatur në 6 ndeshjet e Europa League?

– Sigurisht që po. Nëse do të donim të shisnim ndonjë lojtar, kushdo qoftë ai, do të ishte shitur menjëherë, por mendojmë edhe për objektivat e klubit. Një lojtar, vetëm kur arrin kulmin te ne, shitet jashtë. Ju them një sekret, sot kemi oferta për çdo lojtar të skuadrës. Nëse vërtet ndodh të shiten të gjithë, kush do luajë? Unë dhe presidenti Takaj? Jemi një skuadër me shumë karakter dhe premtojmë shumë. Edhe fati nuk na ka munguar, por fati gjithmonë është me më të fortin. Jam i bindur se do ta bëjmë hapin e madh të grupeve, edhe pse me pak sforco. Kështu të shijon më shumë dhe shpresoj që fati të jetë me ne.  

– I keni sugjeruar diçka Dajës? Po presidentit?   

– Nëse më pyesni për futbollistë, po, i kam sugjeruar trajnerit. Po mendojmë edhe për disa përforcime, por kjo varet edhe nga ecuria e skuadrës në Europë. Do të shikojmë çfarë do të ndodhë. Të gjithë po punojmë natë e ditë për Skënderbeun.

– Së fundi, keni diçka për të shtuar?

– Nuk besoj që ka njeri, që tani nuk është me Skënderbeun. Këto janë momente të veçanta për ne, për Skënderbeun dhe mbarë Shqipërinë e futbollin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *