Fakiç: “Shqipëria po prodhon, Abazaj e Bregu dy shembuj. Skënderbeu do ta fitojë betejën më të madhe”

Drejtori sportiv i klubit korçar flet për zhvillimet e fundit, për shitjet apo blerjet e mundshme, titullin kampion dhe çështjen e dënimit

Leonard Trebicka

Në klubin korçar punohet intensivisht gjatë gjithë kohës, për rezultatet në fushë, por edhe për shitjet dhe blerjet e lojtarëve. Me këtë pjesë merren më shumë drejtori sportiv Haris Fakiç dhe menaxheri Shkumbin Qormemeti, të cilët pak kohë më parë transferuar Kristal Abazajn tek Anderlehti. Drejtori Fakiç tregon në intervistën e mëposhtme për Sport Ekspres se tashmë Skënderbeu dhe Shqipëria janë bërë një trend për menaxherët e huaj. Fakiç thekson se Skënderbeu do të fitojë të dy trofetë, por edhe të drejtën e tij në çështjen e hapur me UEFA-n.
Haris, në Korçë ishin shumë menaxherë të dielën për të ndjekur ndeshjen me Kukësin. Mund të na zbuloni diçka më shumë?
– Po, ka pasur shumë menaxherë, madje një pjesë të tyre nuk i njihja. Ky është një trend që sapo ka nisur në Shqipëri, pasi më parë nuk ishim mësuar të shikonim kaq shumë menaxherë në stadiumet tona. Shumica e atyre kishin ardhur për lojtarë të ndryshëm të Skënderbeut, sepse tashmë të gjithë e dinë që nga ekipi ynë kanë shkuar shumë lojtarë në Europë.
Ishte i pranishëm edhe Shkumbin Qormemeti, menaxheri i suksesshëm shqiptar. Ka ndonjë shitje gati nga Skënderbeu?
– Edhe Qormemeti ishte në stadium, ishim bashkë. Shkumbini ishte, sepse po afron fundi i kampionatit, gjithashtu edhe merkatoja. Ai po shikon nga afër lojtarë të ndryshëm, bashku me bashkëpunëtorët e tij. Kontaktet e tij në Shqipëri janë të shumta dhe ai pret bashkëpunëtorët për të parë nga afër lojtarë të ndryshëm.
– Ju ishit përgatitur për festën e titullit, por Skënderbeu humbi. Si e përjetuat ju dhe presidenti Takaj atë rezultat?
– Jemi një skuadër me mentalitet fituesi dhe nuk e prisnim atë rezultat ndaj Kukësit. Po, ishim bërë gati për festë jo vetëm ne, por gjithë qyteti. U vërtetua se futbolli është i paparashikueshëm, por festa thjesht sa u shty për një ditë tjetër. Shumë shpejt do të jemi ne kampionët.
– Duhen edhe katër pikë në këto pesë javë
– Edhe një hap i fundit na ka mbetur. Maksimumi pas dy javësh do ta kemi hedhur dhe do të jemi zyrtarisht kampionë.
– Edhe ju keni qenë në Zvicër, kur pjesëtarët e Skënderbeut dëshmuan në Apelin e UEFA-s. Çfarë vendimi prisni?
– Gjithë drejtuesit e Skënderbeut ishin në Zvicër, kurse unë ndodhesha aty për punë personale. Fizikisht nuk isha në zyrtar e UEFA-s, por shpirtërisht isha atje, sepse jam në çdo hap me Skënderbeun. Jemi shumë optimistë, pavarësisht si do ecë çështja para se të shkojë në CAS. Jemi përgatitur maksimalisht për mbrojtjen e imazhit dhe klubit tonë.
– Sa shanse ka Skënderbeu t’ia dalë në CAS, si do të mbrohet në këtë gjykatë?
– Kemi shpresa të mëdha. Jemi rritur me shpresë dhe optimizëm dhe e kemi konfirmuar deri tani shumë herë. Sa herë kemi shpresuar, ia kemi dalë. Edhe këtë radhë do tia dalim. Për mënyrën si do të mbrohemi kemi angazhuar studion ligjore, që po merret me këtë çështje. Jemi një klub i pastër.
– Rikthehemi te merkatoja, ku shumë futbollistë të Skënderbeut flitet se do të shiten. Si është vërtet situata?
– Për shitjet vendos vetëm klubi, me në krye presidentin Ardjan Takaj, kush do të ikë dhe kush do të qëndrojë. Janë përfolur kohët e fundit shumë emra, por do të shesim vetëm ata futbollistë që mund ti zëvendësojmë. Te Skënderbeu nuk ka lojtarë që i kemi nxjerrë në shitje dhe nuk i kemi shitur, apo edhe futbollistë që u ka përfunduar kontrata dhe që ne i kemi pëlqyer dhe të mos kenë rinovuar. Kemi kushtet tona në këto shitje dhe kështu do të vazhdojmë.
– Po për merkaton në hyrje, ka ndonjë lëvizje konkrete?
– Ne punojmë gjithë kohën në këtë drejtim. Para se të shesim, piketojmë lojtarin që do të vijë për ta zëvendësuar. Nëse do të shesim, do të afrojmë. Ky është parimi ynë. Po punojmë shumë me lojtarë brenda dhe jashtë vendit.
Cilat janë planet më të afërta të Skënderbeut?
– Skënderbeu po përgatitet për Europën, pasi jemi të sigurt se do të luajmë në Champions League, ku do të përpiqemi të kalojmë disa ture.
– Një lajm jo i mirë për Latifin, të cilin trajneri ekipit të tij në Hungari e ka nxjerrë jashtë planeve. Kaq dobët po paraqitet?
– Latifin e njohim të gjithë. E di fort mirë situatën që po kalon në këtë moment dhe kështu ndodh kur një futbollist nuk ka minutat e duhura. Jam i bindur se është thjesht një gabim, pasi nuk po dalin llogaritë si duhet. Kjo situatë do të kalojë shpejt dhe Liridoni do ti tregojë aftësitë e tij. Koha do të tregojë kush ka të drejtë, trajneri apo futbollisti. Latifi është i rëndësishëm për atë klub. Kjo që ka ndodhur është bërë çështje në Hungari.
– Kristal Abazaj u shit në Belgjikë, një tjetër sukses ky për ju…
– Kristali ishte një blerje e jona në muajin janar. U ble për të luajtur me Skënderbeun, por ecuria e lojtarit te Luftëtari dhe shpejtësia jonë për ta shitur ndryshuan planet. Është për të mirë të Abazajt, pasi do të luajë me Anderlehtin tre vitet e ardhshme. Kjo tregon qartë fuqinë që ka klubi ynë në futbollin europian, pasi një gjigant si Anderlehti vjen dhe bën pazar te Skënderbeu. Ishin edhe lidhjet e forta që na mundësuan këtë transferim mes nesh dhe menaxherit të Kristalit, por edhe skuadrës sonë, Shkumbin Qormemetit.
– Edhe ju ishit i pranishëm në momentin e firmosjes së kontratës. Mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij transferimi?
– Detajet në fakt janë bërë publike. Isha prezent në momentin kur u firmos edhe kontrata si përfaqësues i Skënderbeut. Kuptova vlerësimin që po i bëhet Skënderbeut. Kam pasur një bisedë me drejtorin e klubit të Anderlehtit dhe ai më tha: “Qormemeti ma ka ofruar shumë kohë më parë Abazajn dhe më pëlqeu shumë. Më pas vendosëm ta marrim në skuadër. Kemi nevojë për një lojtar që luan pikërisht në këtë rol. Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë.
Po Dejvi Bregu, a do të luajë në Korçë para se të shitet?
– Bregu është një lojtar shumë i rëndësishëm për Skënderbeun. Ai është konfirmuar si lojtar yni që kur firmosi Abazaj. Për Bregun të presim, pasi ka skuadra që na kanë kontaktuar për të, por nuk kemi gjë konkrete për momentin. Do të ishte më mirë që Dejvi të ishte pjesë e ekipit tonë të paktën për një vit, por edhe për këtë vendos presidenti Takaj. Varet nga shitjet e tjera që mund të bëjmë.
– Me gjithë këto akuza ndaj Skënderbeut, si ndihet Haris Fakiç?
– Harisi ndjehet krenar që është pjesë e këtij klubi të madh në Shqipëri, që ka prodhuar futboll të bukur dhe rezultativ, si ekipet europiane. Besoj se në fund do të fitojë drejtësia dhe të jemi aty ku na takon, në rrugën e sukseseve.
– A mund t’i fitojë Skënderbeu të dy trofetë këtë sezon?
– Është viti i duhur për të dy trofetë. Jemi në pozita të mira për të bërë bis trofesh. Do të ishte dhurata më e bukur për qytetin tonë dhe në mënyrë të veçantë për tifozët më të mirë në Shqipëri, ujqërit e dëborës.
Çfarë të rejash presim te Skënderbeu tani afër?
– Do të kemi shitje dhe blerje, si dhe titullin kampion bashkë me kupën, që do të jenë qershia mbi tortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *