Skuadrat e Kategorisë Superiore kanë bërë një paraqijte pozitive në këtë sezon debutues të Ligës së Konferencës. Vllaznia, Laçi dhe Partizani kanë kaluar me sukses turin e parë kualifikues, duke arritur një sukses për futbollin shqiptar. Por përpos pjesës së garës, ecuria e deritanishme në Ligën e Konferencës ka sjellë edhe një tjetër aspekt pozitiv për këto skuadra.
Arkat e Laçit, Partizanit dhe Vllaznisë janë mbushur me nga 550 mijë euro pas kalimit të turit të parë në këtë kompeticion. 200 mijë euro kanë shkuar në buxhetin e këtyre klubeve vetëm për pjesëmarrjen e tyre në Ligën e Konferencës, ndërsa kalimi i turit të parë është shpërblyer me 350 mijë euro të tjera. Fati nuk është treguar bujar me kundërshtarët e raundit të radhës për ekipet shqiptare, të cilat mund ta mbyllin aventurën europiane me 550 mijë euro të fituara, ndërsa në rast suksesi në kalimin e turit të dytë atëherë kjo shifër do të vazhdojë të rritet më tepër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/