Laçi përballë Moldes në turin e dytë kualifikues të Europa League. Kurbinasit do të përballen me norvegjezët e drejtuar nga një legjendë si Ole Gunar Solskajer, me një të kaluar te Mançester Junajtid.
Ish-sulmuesi e ka të qartë atë që pret nga dueli me rivalët shqiptarë, që kanë udhëtuar drejt vendit Skandinav me synimin që të mbrohen sa më mirë, për të mos pësuar gol. “E kemi parë Laçin në ndeshjen që zhvilluan ndaj qipriotëve”, tha 45-vjeçari.
Më tej ish-sulmuesi vazhdoi: “I kemi parë dhe i kemi analizuar videot e tyre, pra e kemi të qartë se çfarë duhet të presim. Në aspektin mbrojtës, janë një skuadër shumë e vështirë, të cilës nuk mund ti shënosh me lehtësi. Luajnë me një formacion kompakt 4-5-1, ku secili lojtar e di fare mirë atë që duhet të bëjë në fushë”.
Solskajer i trembet edhe kundërsulmeve të Laçit, me skuadrën e Besnik Prengës që i mposhti qipriotët e Anorthosis me fare pak raste për gol të krijuar. “Janë një skuadër efikase në fazën sulmuese, që i shfrytëzon mundësitë të cilat i krijohen. Për këtë arsye nuk mund ti lejojmë vetes të zhbilancohemi në fushë dhe të humbasim shumë raste. Detyra jonë është të krijojmë kaos në zonën e tyre dhe ti godasim”, tha Solskajer.