Vllaznia është kthyer te fitorja pas shumë luhatjeve në ndeshjet e fundit. Shkodranët fituan në shifrat 4-0 ndaj Teutës së Martinit, me këta të fundit që vinin nga një formë e mirë. Goli i parë erdhi nga Esin Hakaj në minutën e 21 që nuk festoi për shkak se ka qenë më herët pjesë e Teutës. Më pas ishte një penallti e kthyer në gol nga Kaina në minutën e 37 që dyfishoi shifrat, me sulmuesin që festoi me shqiponjë.
Një tjetër penallti do të akordohej për shkodranët në minutën e 72, ku këtë herë ishte Hoxhaj që shënoi. Kotobelli do të ndërhynte me stilin kung-fu ndaj Alivodës për ta lënë me 10 lojtarë Teutën në minutën e 77 dhe për t’ia vështirësuar punën. Kur pritej fundi i takimit, Kaina jep edhe goditjen e fundit për t’i dërguar shifrat në 4-0. Enea Jorgji mendon për t’i dhënë fund vuajtjeve të durrsakëve duke vërshëllyer fundin e takimit, pa akorduar minuta shtesë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Edi Martini: “E nisëm mirë, por pastaj gjërat shkuan keq. Duket sikur u dorëzuam pas golit të dytë, ishte një ditë vërtet e keqe. Në dy ndeshjet e mëparshme nuk kemi pësuar gol. Sot na kanë shënuar dhe u shpërfytyruam. Është ndryshe kur e humb një ndeshje 2-0 dhe ndryshe 4-0, tregon se ka shumë punë për të bërë. Kemi marrë 6 pikë në 3 ndeshje. Kemi krijuar një lloj besimi, që ndoshta i tepruar para ndeshjes me Vllazninë për shkak të dëmtimeve që kishte kjo skuadër. Edhe kur humb, duhet të humbësh me dinjitet, jo në këtë mënyrë. Teuta do të jetë në vendin e fundit vetëm për çështje kohe”.
Mirel Josa: “Periudha jonë jo e mirë ishte vetëm 5 ditore, pasi kemi humbur dy ndeshje. Ndeshjen me Teutën e kemi zgjidhur shpejt, ekipi kishte dëshirë për të luajtur. Por këtë dëshirë lojtarët e kanë treguar edhe më herët. Kemi marrë oksigjen për të festuar Vitin e Ri. Kaina? Sot punoi gjithë ekipi për Kainën, Kaina ka punuar gjithashtu për ekipin. Hoxhaj duhej ta kishte mbështetur më mirë Kainën, por kjo do të rregullohet me kalimin e kohës. Alivoda ka cilësi dhe unë kërkoj më të mirën e lojtarit. Urdhëro, ja ku e ka fushën, le t’i bëj ysmetin klubit dhe vetes së tij si Alivod për të ardhmen”.