“Është një projekt 3-vjeçar”, Arapi flet si kampion: Është fillimi i një cikli, nuk e fshehëm që ditën e parë objektivin

Kategoria Superiore ka ulur sot siparin e këtij sezoni sfilitës, por që ka dhuruar emocione deri në minutat e fundit të tij. Si asnjëherë më parë 4 ekipe kanë qenë në vorbullën e titullit kampion përgjatë të 36 javëve. Megjithatë në fund ajo që ia ka dalë ka qenë Teuta. Apolonia ka qenë e pafuqishme përballë durrsakëve, të cilët kanë qenë më të motivuar se kurrë duke shënuar 6 herë në portën kundërshtare. Një rezultat i tillë ia bënte të pamundur Vllaznisë që të shpresonte për të ngritur lart trofeun, pavarësisht fitores 2-0 kundër Laçit. Në përfundim të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë deklaratat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.

Arapi (Teuta): “Është një projekt 3-vjeçar. Ka nisur me Bledi Shkëmbin dhe vijoi me Martinin. Kemi bërë mirë. Kapëm kupat e Europës, fituam Kupën dhe Superkupën. Këtë sezon duke parë arritjet dhe buxhetin më të lartë synuam titullin kampion. Nuk e fshehëm që nga dita e parë. Nga cilësia ndoshta nuk ka qenë më i miri, por nga konkurenca padyshim që ka qenë më i miri. Po mos ta mbyllnim si duhet kampionatin do të kishim peng. Të gjithë ekipet kanë gabuar. Falë Zotit ia arritëm ta fitonim këtë titull me luftë dhe mund. Unë e kam thënë që nëse Teuta do të fitonte një titull, është fillimi i një titulli”.

Martini(Teuta): “Një vit i gjatë dhe i stresuar. Këtë muajin e fundit më është dukur vetja sikur isha i intubuar te “Shefqet Ndroqi“. Një sezon i çmendur që fatmirësisht u kurorëzua me titullin kampion. Po ta keni vënë re pas çdo humbje apo barazimi zhgënjyes në ndeshjen pasardhës kemi treguar forcë. Ne dhe Vllaznia kemi qenë ekipi jo me cilësitë e të tjerëve, por kemi qenë më të lidhur me njëri-tjetrin. Dejvi na ka dhënë pikë të rëndësishme. Ka fituar ndeshje me aftësitë e tij. Kjo është kënaqësia më e madhe.

Kanë qenë disa pengje. Ky ishte një kampionat i çmendur totalisht. Kam qenë shumë i mërzitur pas ndeshjes në Kupë me Skënderbeun. Ishte një humbje që nuk e prisnim. Ka qenë ndeshja me Tiranën që e humbëm 2-0, por edhe ndeshja me Partizanin. Unë do shkoj në Shkodër, mezi pres ditën e hënë. Do jem në stadium dhe shpresoj të fitojnë Kupën. Për sa i përket të ardhmes unë do mbyll telefonin nja një javë dhe do pushoj. As më ka shkuar ndërmend të diskutoj për kontratën tashmë. Ndjeva frikë te goli i Mihanës, sepse presidenti Kokëdhima kishte bërë mbledhje dje me skuadrën. Kishte bërë mbledhje, shumëzime e llogari. I kishte motivuar lojtarët. A thua se nuk kishte mjaftueshëm javë për të mbledhur ekipin e duhet ta bënte në javën e 36. Kokëdhima e do shumë Shkodrën, i ka dhënë provat. Megjithatë, faleminderit se na motivoi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *