“Është një kampionat që fitohet me 2 ndeshje”, Orges Shehi nuk sheh diferenca: Kur të zerohen pikët luhet gjithçka për gjithçka

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura kryendeshja e javës së 30 të “Abissnet Superiores”. Nuk ka pasur gola të shënuar mes Partizanit dhe Vllaznisë, pavarësisht tentativave përgjatë 90 minutave. Të dyja skuadrat ruajnë pozicionet e tyre në tabelën e renditjes, duke shtuar nga një pikë në totalin e pikëve të grumbulluara deri më tani. Vllaznia i afrohet pak më tepër Egnatias së vendit të parë, të cilën tani e sheh vetëm 3 pikë larg. Megjithatë, rrogozhinasit kanë një ndeshje më tepër për të zhvilluar ditën e nesërme. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Shehi (Partizani): “Patjetër që kur vjen fundi i kampionatit dhe luan një përballje direkte, të ndihmon në një farë mënyre. Megjithëse nuk e kishim mendjen te ‘final four’-i, por te ndeshja e sotme. U munduam të provonim një skemë tjetër këtë ndeshje. Deri diku funksionoi, sidomos në pjesën e parë. Konsumi i energjive më pas na bëri më pak efikas. Ne donim të luanim me topin poshtë, por në disa raste ishim të paduruar dhe luanim me topin e gjatë. Por nuk duhet të provonim me topin e gjatë, duhet të kërkonim kombinacionet. Është një kampionat që nuk është si gjithë të tjerët. Do të vendoset me dy ndeshje në fund dhe çdo gjë tjetër do të zerohet. Po të ishte një kampionat si ai i vjetshmi, motivimi dhe mobilizimi do të ishte më i madh. Kur të zerohen pikët, aty do të luhet gjithçka për gjithçka. Me sa mbaj mend unë, edhe përpara se të vija unë këtu, Partizani ka pasur bilanc pozitiv me kundërshtarët e drejtpërdrejtë.”.

Osmani (Vllaznia): “Është një ndeshje ku për ne ishte me rëndësi të mos humbnim. Pjesa e parë ishte e mirë. Patëm disa raste. Por e rëndësishme ishte të mos e humbnim këtë ndeshje. Në pjesën e dytë, këshillat në ndërpreje ishin të njëjtat. Duhet të vazhdonim në atë ritëm, të mos e lejonim kundërshtarin t’i afrohej golit. Mendoj se e arritëm. Atë që na ka ndjekur edhe në ndeshjet e tjera, pasimin e fundit, nuk e patëm. Vendi i parë dhe i dyti e ka një përparësi në ‘final four’. Luajtëm ndaj një rivali direkt për vendin e dytë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/