“Është datë historike“, Duka përuron kampionatin U15 për femra: Fryt i një pune disavjeçare

0

Kampionatit kombëtar i futbollit për femra U-15 ka startuar sot, duke i hapur rrugën një tjetër risie për futbollin shqiptar. Në ceremoninë e hapjes së këtij aktivitetit ishin të pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka, futbollistja e Kombëtares për femra, Megi Doçi, trajneri i Kombëtare së femrave, Armir Grima, drejtuesit e disa prej skuadrave pjesëmarrëse dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë Presidenti Duka shprehu kënaqësinë e tij për nisjen e këtij kampionati, që ka një rëndësi të madhe në strategjinë e FSHF-së për zhvillimin e futbollit të fëmijëve. Kreu i qeverisë së futbollit tha se ky aktivitet është fryt i një pune disavjeçare e të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, duke ndjekur strategjinë e afrimit të sa më shumë vajzave pranë futbollit.

“Jemi vërtetë të lumtur që organizojmë sot aktivitetin për të filluar për herë të parë kampionatin e femrave U-15 në Shqipëri. Për ne është një ngjarje e rëndësishme, është një datë historike pra nisja e këtij aktiviteti. Është fryt i një pune disavjeçare e të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, duke ndjekur prioritetin, politikën dhe strategjinë e afrimit të sa më shumë vajzave pranë futbollit. Futbolli në Shqipëri vërtetë ka filluar vonë krahasimisht me shumë vende të tjera të Europës por në këtë 10-vjeçar ka njohur zhvillime të rëndësishme, jo vetëm në masivizimin e tij që kemi shumë më shumë goca që luajnë futboll por edhe kualitet në ekipet tona.

Gjithsesi, këshilla ime është që para se të vini të luani futboll duhet të bëni shumë mirë mësimet. Shembulli më i mirë është Megi Doçi, e cila është e pranishme këtu me ne. Edhe ju mund të bëheni si Megi në futboll, pse jo edhe më të mira se ajo, duke na nderuar edhe me ekipet kombëtare”, – tha Presidenti Duka .

Ndërsa, futbollistja e Kombëtares shqiptare, Megi Doçi, pasi vlerësoi nismën e FSHF-së, u dha këshillat e saj vajzave të vogla, që marrin pjesë në këtë aktivitet.

“Për herë të parë organizimi i kampionatit kombëtar për moshën U-15 për femra është diçka shumë e bukur, edhe për ju, dhe unë dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që po i jep këtë mundësi juve dhe brezave të tjerë që do të vijnë. Me pasion, dëshirë dhe me punë arrihet gjithçka. Ju uroj suksese të gjithave ju”, – tha Megi Doçi.
Pas ceremonisë, që u zhvillua në kompleksin “Oympic Park Durrës” u luajtën edhe dy sfidat e para të këtij kampionati. Dy ndeshjet e para të këtij kampionati ishin Kinostudio-Vllaznia dhe Murlan-Teuta.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.