Vetëm pak kohë pasi deklaroi se do të preferonte Pep Guardiolën dhe jo Zhoze Murinjon në stolin e Mançester Junajtid, Erik Kantona vjen me një tjetër deklaratë të fort. Një pohim i “tmerrshëm” për tifozët e “Djajve të Kuq”, nga francezi që ka qenë idhulli i tyre në fushë.
Personazhi karizmatik deklaroi se rivalët e mëdhenj të Mançester Sitit thjesht luajnë futboll më të bukur, të cilin ke kënaqësi ta shohësh. Një deklaratë, që edhe pse mund të lejë shije të hidhur, duket e pamundur të mohohet, madje edhe nga tifozët më fanatikë.
“Nuk e kuptoj përse Junajtid emëroi një trajner mbrojtës. E dua Murinjon, por preferoj të shoh duke luajtur Barcelonën. Preferoj të shoh ekipet e Guardiolës në aksion dhe do të më pëlqente që Pep të ishte trajneri ynë. Nuk më pëlqen të shoh rivalët tanë sepse janë Mançester Siti, por sepse drejtohen nga Guardiola”.
Megjithatë, Kantona nuk e humbet optimizmin: “Shpresoj që Junajtid t’a fitojë kampionatin. Mbi të gjitha, sepse favorite është skuadra të cilën ne duam t’a mposhtim me patjetër. Sezoni sapo ka nisur dhe të shpresojmë se do të bëjmë mirë deri në fund”.