Nga Klaudio Ndreca
Prej disa kohësh në mediat greke janë botuar lajme që e dërgonin Ergys Kaçen jashtë PAOK-ut dhe madje larg Greqisë. Pra për herë të parë do të ndodhte që mesfushori shqiptar të hiqte dorë nga shtëpia e tij e vjetër, ku nuk e ka përfaqësuar shumë stemën e klubit, por ka kaluar një seri huazimesh.
Nga ana tjetër, menaxheri i lojtarit, Nikos Kagioulis, mendon se situata ka ndryshuar për shkakun e pandemisë. PAOK do të ketë një rënie të ndjeshme financiare dhe nuk do të ketë mundësinë për të blerë lojtarë me kualitete të mëdha në mesfushë. Po ashtu mund të vijnë edhe disa largime të mundshme, prandaj duhet të mbështetet tek “të vjetrit”. E konceptuar në këtë mënyrë, mund të jetë radha e Kaçes për të shfaqur vlerat e tij.
“Do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me PAOK-un. Lojtari është i lirë në 30 qershor, ndërsa skuadra e tij ka fjalën e parë, nëse tregon gatishmëri për ta mbajtur. Kur të vijë koha do ta shohim se Kaçe është një lojtar me vlera të njohura dhe e ka dëshmuar këtë gjë në të kaluarën. Përtej kësaj, nuk e di politikën që do të ndjekë PAOK, pasi do të bjerë financiarisht në krahasim me vitet e kaluara për shkakun e pandemisë. Nëse kalohet me kontrata më të ulëta, Kaçe është një zgjidhje e besueshme për t’ua zgjidhur problemet e mesfushës”, u shpreh Kagioulis. /Sport Ekspres/