Merr fund përkohësisht karriera e Ergys Kaçes në Greqi, sepse vjen një tjetër huazim, këtë radhë në Qipro. Bëhet fjalë për APOEL Nikozinë, një ndër klubet më të mëdhenj në Qipro, që ka arritur marrëveshjen me PAOK-un për huazim deri në fund të sezonit aktual.
APOEL është në garë për titull dhe e humbi kreun javën e shkuar, kur pësoi një humbje shumë të rëndë në shtëpi ndaj Apollon Limasolit.
Trajneri i APOEL-it, Jorgos Donis (ish-trajner i PAOK-ut në sezonin 2012/13, kur Kaçe shkëlqente te PAOK), ia ka kërkuar klubit Kaçen, ndaj mesfushori i Shqipërisë është bindur shpejt dhe shpreson të luajë rregullisht, në një skuadër ku në fakt reparti i mesfushës është i mbushur me lojtarë shumë cilësorë dhe do të jetë e vështirë që 24-vjeçari të gjejë vend menjëherë.
Gjithsesi, pas 158 ndeshjesh e 7 golash me PAOK-un, Kaçe ka eksperiencën dhe besimin e duhur te vetja, për të tentuar të rikthehet në nivele të larta. E kërkonte dhe Panathinaikosi, por PAOK-u ka preferuar ta huazojë në Qipro, ku do të luftojë për titull.