E mbani mend Martin Neshpor? Me siguri tifozët e Skënderbeut e mbajnë mend mirë, edhe pse nuk bëhet fjalë për kujtime të këndshme. Bëhet fjalë për sulmuesin 28-vjeçar nga Republika Çeke, i cili në ditën e fundit të verës së vjetshme zbarkoi në Korçë. Ishte goditja e madhe e Ardian Takajt për aventurën në grupet e Europa League, por më pas rezultoi që arma e vërtetë dhe e vetme ishte Ali Soue.
Një sezon për t’u harruar për Neshpor, sepse huazimi në Shqipëri me siguri nuk ishte ajo që ëndërronte dhe 11 minuta në Superiore ndoshta përbëjnë një rekord botëror, pasi bëhej fjalë për një ndër lojtarët më të paguar në Superiore, aq sa legjenda thotë që ishte më i paguari, diku kokë më kokë me Edgar Çanin, i cili të paktën kishte si justifikim dëmtimet, për paraqitjen e dobët në sezonin e tij debutues në Superiore. Në fakt Neshpor 3 gola i shënoi, por në kupë kundër Mamurrasit C (kishte shkuar me të rinj të panjohur), një ekip që edhe çunat e lagjeve në Korçë do i futnin nja 5-6 gola.
Neshpori iku në janar, pa zhurmë, pasi në Korçë ishte bërë si i huaj prej kohësh (shkoi tek të rinjtë një periudhë) dhe për fat Skënderbeu e hoqi qafe, sepse kontrata e detyronte ta mbante në huazim deri në fund të sezonit.
Neshpor u kthye te klubi që zotëronte kartonin, Zaglebie në Poloni, por edhe në Lubin një dështim total, asnjë minutë në fushë!
Këtë verë Neshpor mori një vendim aspak të lehtë: prishi kontratën me Zaglebien, duke hequr dorë nga kontrata, edhe pse kishte edhe një vit tjetër dhe mund të qëndronte e të paguhej qyl. Dëshironte të rivihej në lojë dhe është kthyer në Çeki, te Sigma Olomuc, ku gjen trajnerin Vaclav Jilek, i cili e ka kërkuar personalisht, me shpresën se do ta ringjallë, sepse Sigma nuk ka asnjë sulmues të saktë në ekip dhe nëse Neshpor kthehet ai i para disa viteve, është fitore për të gjithë.
Sulmuesi ka dhënë një intervistë në mediat ceke, ku ka rrëfyer gjithë vuajtjet e tij në vitin e fundit, duke përfshirë periudhën në Shqipëri, ku tregon se ka qenë një makth për të.
“Pas një sezoni aq të keq, mendova edhe tërheqjen nga futbolli, por për fat Sigma besoi tek unë dhe shpresoj të funksionojë, edhe pse në futboll asnjëherë nuk i dihet. Do të vihem në provë, do të stërvitem fort e do të mundohem të tregoj se vlej për Sigmën. Më kërkonte edhe Tërnava në Sllovaki, por për mua Sigma është top, kthehem në shtëpi.
“Kur je i ri, gjithnjë ke synimin të shikosh sa vlen në kampionate të huaj. Te Piast Glivice shkoi çdo gjë perfekte, por te Zaglebie nuk funksionoi asgjë, që në fillim. Gjithsesi, kështu e ka futbolli dhe për mua ishte një eksperiencë e shkëlqyer.
“Shqipëria? Atje nuk mora asnjë kacidhe, ndaj isha në ankth edhe për të siguruar ushqimin. Është një eksperiencë jetësore, çdokush duhet ta provojë, për të kuptuar sa shumë kemi në jetën tonë, sa shumë kemi në Çeki. Më ndryshoi shumë ajo eksperiencë, ishte një kthesë pozitive për mua”.